Familja Miftari nga Klina rreth 18 vjet më parë kishte marrë rrugën për në Sarandë si refugjat lufte. Kishte zgjedhur qytetin jugor të Shqipërisë si vendin më të sigurt për familjen. Vendi i strehimit u bë edhe vendlindja e vajzës se tyre, Sarandës.
Saranda, 18-vjeçare, përveç si foshnjë nuk e ka njohur vendlindjen e saj. Kthimi i saj në vendlindje është bërë së bashku me 39 vajza të tjera me emrin Sarandë.
40 vajza e gra të moshave të ndryshme, të çdo cepi të Kosovës, me profesione të ndryshme, me histori të ndryshme se si u është vënë emri i qytetit të Sarandës, kanë bërë një udhëtim të përbashkët, shkruan sot Koha Ditore.
Emrat si Saranda, Vlora, Elbasan, Berat, Shkodran, Valbona, Milot e Butrint janë ndër emrat me të shpeshtë të viteve tetëdhjetë e nëntëdhjetë. Janë “simbol” i izolimit dhe i ndarjes se Kosovës dhe Shqipërisë.
Pamundësia që kosovarët të ishin të afërt me Shqipërinë bëri që familjet ta rilindnin atë përmes emrave të fëmijëve. Dashuria e malli për Shqipërinë ishin portretizuar te gjeneratat e reja përmes emrave. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).