Vizitat e qyteteve në Shqipëri, emrat e të cilave mbajnë vajza e djem në Kosovë po shndërrohet në traditë.
Pas 40 vajzave e grave me emrin Saranda që vizituan këtë qytet para tetë muajsh, këtë fundjavë ka qenë qyteti bregdetar i Vlorës, apo siç thirret ndryshe Qyteti i Flamurit, që ka mirëpritur 28 vajza nga Kosova, nga i cili ato kanë marrë emrin, shkruan sot Koha Ditore.
Por ndryshe nga 40 Sarandat, Vlora ka pritur një mysafire të veçantë me emrin Vlora, që ishte vetëm 6 muajsh . 28 vajza e gra me emrin Vlora kanë vizituar të gjitha pikat turistike të këtij qyteti, si dhe kanë vendosur kurora lulesh te varri i Ismail Qemalit.
Të veshura kuqezi, vajzat e gratë që ndodhen në Vlorë që prej dy ditësh kanë vizituar dhe Monumentin e Pavarësisë. 28 vajzat nga Kosova me emrin Vlora janë pritur edhe nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka vlerësuar bashkëpunimin me Bashkinë e Vlorës dhe kryetarin Dritan Leli, ndërsa është shprehur se në Kosovë ka me qindra vajza me emra qytetesh shqiptare, por u përzgjodhën vetëm 28 me emrin Vlora, duke përmbushur jo vetëm simbolikën e numrit të Pavarësisë, por dhe një përzgjedhje brezash. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)
-
300 mijë turistë brenda pesë muajve në Kosovë, shumë prej tyre të keqinformuar nga vendet fqinje
-
Ministri i Shqipërisë-protestuesve nga Kosova: Rama kërkoi njohjen e Kosovës në mes të Beogradit
-
Sa dritare e bukur!
- Këshilla bijës sime në ditën e votimeve
-
Vojvoda: Pranoni humbjen, sepse kështu do të fitojmë