Ndërtimet e shumta pa leje në zonën e parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe uzurpimet e pronave publike në këtë park, kanë qenë temë diskutimi në një takim të thirrur nga Prokuroria e Themelore e Pejës, me Policinë Rajonale të Pejës dhe stacioneve policore të komunave në këtë rajon, si dhe përfaqësuesve të dikastereve të ndryshme të Ministrisë së Mjedisit.
Qëllimi thelbësor i këtij takimi ishte nisja e vënies së rendit dhe ligjit në zonën e parkut nga veprimet e kundërligjshme, raporton KOHA.
“Do të bëhet identifikimi i menjëhershëm i të gjitha pronave të uzurpuara publike dhe do të fillojnë procedurat e lirimit. Do të bëhet identifikimi i të gjitha ndërtimeve pa leje, të cilat përbëjnë vepër penale dhe fillimi i procedurave të rrënimit nga organet përgjegjëse”, ka thënë Ersan Qavolli, prokuror përgjegjës për raste të pyjeve dhe reparacioneve.
Në këtë takim, gjithashtu, është diskutuar edhe për vlefshmërinë e lejeve të sharrave që operojnë në zonën e parkut, si dhe për lëshimin e një urdhri për ndalimin e futjes së materialit ndërtimor në park, në rastet kur nuk kanë leje nga organet gjegjëse.
Ligji i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” është miratuar në vitin 2012 dhe që atëherë nuk është arritur të ndalohen të gjitha veprimtaritë e kundërligjshme në këtë park nga autoritet.
“Tani po i koordinojmë detyrat në mënyrë që t’i ndalojmë disa çështje, të cilat do t’i ndalojmë shumë shpejt. Kemi probleme me disa sharra, kemi probleme me ndërtime, transport të materialit ndërtimor. Kemi të drejta që na i lejon ligji t’i ndalojmë disa veprimtari dhe t’i hapim rrugë ligjit dhe njerëzve që dëshirojnë të ndërtojnë me ligj”, ka thënë Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit.
Për dallim nga ndërtimet dhe uzurpimet, prerja e pyjeve në zonën e këtij parku, sipas Morinës, ka rënë për 90 për qind, krahasuar me vitin 2012, para se të shpallej parku kombëtar.
Përfaqësuesit e këtyre institucioneve, pas një muaji, do të takohen serish për të vlerësuar të arriturat nga vendimet e sjella në këtë takim.