Arbëri

Tahiri: Nga sot sovraniteti u shtri në tërë Kosovën

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka raportuar pas betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të komunitetit serb para presidentit Thaçi.

Ai ka thënë se me këtë rast, është shtrirë sovraniteti në tërë territorin e vendit.

“Nga sot, shtrirja e sovranitetit me terma praktikë po ndodhë në tërë territorin e Kosovë. Këto marrëveshje janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Tahiri në komision, raporton KTV.

Albulena Haxhiu, anëtare e Komisionit për Legjislacionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë të ketë marrë informacione se teksti i betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nuk është bërë siç bëhet me të gjithë të tjerët.

Albulena Haxhiu ka paraqitur një listë me emra të gjyqtarëve e prokurorëve serbë që thotë se i janë servuar delegacionit të Kosovës nga Serbia dhe të njëjtit kanë dhënë betimin sot.

Por, ministri Tahiri e ka demantuar Haxhiun, duke i thënë se ata “janë dekretuar sipas ligjeve të Kosovës”.

Anëtari tjetër i komisionit, Arben Gashi nga LDK, tha se është shqetësues fakti që dokumentet në lidhje me betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nuk u jepen deputetëve.

“Gjithçka që nuk protokolohet si sekret shtetëror, ne kemi të drejtë t’i kemi”, tha Gashi.

Gashi ka pyetur po ashtu nëse në këtë përbërje ka edhe të etnive tjera, apo të gjithë janë serbë.

Ndërkaq, ministri Tahiri tha të mos jetë marrë me secilin prej tyre por tha se “në bazë të mbiemrave kam parë që ka edhe boshnjakë, romë, ashkali e turq”.

“Betimi i tyre është bërë siç është bërë me të gjithë të tjerët dhe nuk ka asnjë lloj dallimi”, tha ai.

“Nëse nesër dikush prej gjyqtarëve bie ndesh me sistemin e drejtësisë në Kosovë, ai do të largohet. Zyra e Prokurorit Disiplinor merret me ta”, theksoi ministri Tahiri.

Sami Kurteshi nga VV tha se është mirë të shihen emrat dhe të bëhet krahasimi me “listën që ne e kemi nëse vërtet për ata emra ka vendosur Beogradi”.

Tahiri tha se nëse dikush konsideron se marrëveshja është antikushtetuese mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.