Arbëri

Tahiri: Mbi 9 milionë euro dëme nga vërshimet në Mitrovicë

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, ka njoftuar se vlera e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në këtë komunë, përfshirë edhe “Lagjen e Boshnjakëve”, e cila është nën administrimin e Mitrovicës së Veriut, ka shkuar në 9 milionë e 100 mijë euro.

I ftuar të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Tahiri ka thënë se rreth 70 shtëpi dhe rreth 10 biznese janë dëmtuar.

“Vlera e dëmeve është 9 milionë e 100 mijë euro, përfshirë edhe ‘Lagjen e Boshnjakëve’, e cila shtrihet në pjesën administrative të komunës së Mitrovicës së Veriut, mirëpo duke e pasur parasysh se edhe atje ka një hendek institucional dhe nuk ka kryetar komune e grupe dhe komisione të cilat e bëjnë evidentimin e dëmeve, ne kemi bashkëpunuar me një grup që është krijuar për të bërë vlerësimin dhe menaxhimin e situatës atje, ne kemi qenë në komunikim ditor, kështu që edhe vlerën e dëmeve të tyre e kemi përfshirë brenda këtyre 9 milionë e 100 mijë eurosh. Janë rreth 70 shtëpi të dëmtuara, pjesa më e madhe e tyre janë pjesërisht ndërsa një numër i vogël i tyre është dëmtuar plotësisht në Lagjen e Boshnjakëve, po flasim diku rreth afër 10 bizneseve që janë dëmtuar, vlera e këtyre shtëpive është e detajuar në raport për secilin individ, shtëpi e biznes”, ka thënë ai.

Tahiri ka njoftuar se është finalizuar një raport i vlerësimit të dëmeve, i cili do t’i dërgohet Kuvendit Komunal në seancën e ardhshme, e që më pas do të procedohet në Qeveri.

“Raporti i vlerësimit të dëmeve është finalizuar dhe në seancën e ardhshme të këtij muaji do të dërgohet në Kuvendin Komunal dhe do të dorëzohet në Qeveri. Ai prezanton dëmet specifike që kanë ndodhur në komunën e Mitrovicës në ekonomitë familjare, në sektorin e bujqësisë, te bizneset, në infrastrukturën publike, në institucionet që kanë qenë përgjatë lumenjve të ndërtuar”, ka thënë ai.

Sipas Tahirit, me daljen nga shtrati të lumenjve Lushta dhe Ibër, shumë lagje, edhe rrugët kryesore të këtij qyteti janë përfshirë nga vërshimet.

“Ky raport i prezanton të gjitha dëmet që kanë ndodhur. Lumi Lushta ka dalë nga shtrati, te lagjja ‘Tjegullorja’. Ka përfshirë edhe bizneset që janë përgjatë këtij lumi. Lumi Ibër ka dalë nga shtrati duke shkaktuar dëme përreth stadiumit ‘Adem Jashari’, gjithashtu edhe shtëpitë pranë këtij stadiumi. Në lagjen e romëve, është përfshirë tërësisht lagjja dhe pjesërisht të gjitha shtëpitë aty janë të pabanueshme. Ndërsa në qytet, është përfshirë tërësisht rruga ‘Mbretëresha Teutë’, bulevardin ‘Isa Boletini’, rrugën ‘Shemsi Ahmeti’, rrugën ‘Agim Ramadani’, të cilat janë në qendër të Mitrovicës”, është shprehur ai.

Situata më kritike, Tahiri ka thënë se ka qenë për rreth 2 ditë e gjysmë dhe se më pas ka shkuar duke u menaxhuar.