Arbëri

Pritja 120-ditëshe për kompensim të dëmeve nga vërshimet po vazhdon

Dëmet që shkaktuan vërshimet në Mitrovicë të Jugut janë të dukshme edhe sot kur kanë kaluar 120 ditë. Banorët e prekur ankohen se pas vlerësimit të dëmeve nga Komisioni komunal nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Zyrtarë komunalë thonë se që nga kjo javë do t’u dalin në ndihmë qytetarëve me gjysmë milioni euro, teksa kritikojnë nivelin qendror se nuk e ka ndihmuar në asnjë formë

Banorë të Mitrovicës së Jugut, të prekur nga vërshimet e janarit të këtij viti, nuk janë kompensuar ende.

Dëmet e shkaktuara nëpër shtëpi e infrastrukturë janë të dukshme.

Vehbi Shabani thotë se dëmet e shkaktuara në shtëpinë e tij kapin vlerën e 4 mijë eurove. Thotë se deri më tash nuk është kompensuar me asgjë nga askush.

“I kam faturat 4 mijë euro vetëm mua që më ka kushtu ai dëm. Pa i marrë parasysh ato elementet e kuzhinës. Kanë qenë Komisioni, e ka verifiku, por ende nuk kemi kurrfarë zgjidhje”, u shpreh Shabani.

E banorja R.A. ka katër muaj që së bashku me bashkëshortin dhe 3 fëmijët jetojnë në katin e dytë të shtëpisë, meqë kati i parë është bërë i pashfrytëzueshëm nga vërshimet.

“Kanë ardhur prej Komunës, thoshin ‘po po’. Por qe 4 muaj jemi atje lart. Janë shkatërruar me komodë, me televizor, dy parë ulëse, parketi, tavolina krejt çka ka pasë është shkatërruar, plus muri. Tash jemi lartë qaty tu nejtë me një dhomë”, thotë me lot në sy ajo.

Shton se po të kishte mundësi financiare do t’i rregullonte vetë dëmet e shkaktuara, teksa shpresat i mban në kompensim nga Komuna ose niveli qendror.

Dëmet e vërshimeve mund të shihen edhe në lumin Lushta në Mitrovicë. Në të shihen mbetjet e urave të shkatërruara e mbeturina të shumta.

Banorët janë të pakënaqur me një urë të re që është ndërtuar nga një donator, me pëlqim të Komunës.

Ata thonë se ura që ishte më herët është shfrytëzuar për qarkullim edhe me vetura, ndërsa kjo që është ndërtuar tani nuk mund të përdoret, pos nga këmbësorët.

“Nëse mbetet kjo urë, atëherë vetëm dëme kemi me pasë. Kjo duhet me u heq gjithqysh, Komuna duhet me ba ndonjë zgjidhje më të mirë, se nuk bën kështu. Është e bllokuar krejt kjo lagje, në këtë anë është e bllokuar, as dru as kurrgjë nuk mundemi me transportu”, ka shtuar banori Vehbi Shabani.

Për dëmet kanë folur edhe disa banorë të tjerë të kësaj lagjeje. Shqetësimet e tyre i shprehën në kushte anonimiteti me arsyetimin se janë “votues të kryetarit aktual” dhe se nuk duan t’i prishin raportet.

Banorët për çështjen e urës kanë bërë edhe një peticion në Komunë të Mitrovicës së Jugut.

Bahtir Maxhuni, drejtor për Siguri dhe Emergjenca, ka thënë se që nga kjo javë do të fillojnë t’u dalin në ndihmë të prekurve nga vërshimet.

Ai thotë se niveli qendror nuk e ka ndihmuar komunën.

“I kemi ndarë 500 mijë euro për ndihma. Jemi në përfundim e sipër, thuajse jemi duke e bërë listën e parë prej 100 personave për me ju ndihmu me ka 2500 euro për familje, ekonomi familjare dhe kjo procedurë thuajse është në përfundim e sipër. Sa i përket nivelit qendror në bazë të informatave që kam nuk ka ndërmarrë diçka”, theksoi Maxhuni.

E për ankesat e banorëve për urën, Maxhuni u shpreh se nëse donatori nuk e përfundon në përputhje me dëshirën e banorëve, do të ndërmerren masa.

“Ne si Komunë kemi mjaftueshëm buxhet që së paku të aneksojmë aty ku e ka lënë operatori në gjysmë. Do të përfundojë kjo urë dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme që qytetarët ta ndiejnë veten të sigurt”, shtoi ai.

Nga opozita në Komunë thonë se dëmet nga vërshimet janë shkaktuar nga mosmenaxhimi i duhur i komunës.

“Ne akoma nuk kemi raport me listën e përfituesve ose edhe shumën e saktë të shpenzuar deri më tani. Por kemi ankesa nga qytetarët se shumat nuk janë të njëjta për të gjithë, ashtu siç ka qenë vendimi, por shuma po caktohet nga vullneti i atyre që po i ndajnë”, ka thënë shefi i Grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes në këtë komunë, Faruk Mujka.

Afro 8 milionë euro vlerësohet dëmi i shkaktuar në Mitrovicë nga vërshimet që ndodhën në vend gjatë janarit të këtij viti. E dëme të shumta ka pasur edhe në Skenderaj, Istog, Klinë e në qytete të tjera.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave dhe në Komisionin Qeveritar për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, lidhur me kompensimin e dëmeve në komunat e prekura nga vërshimet, por nuk ka marrë përgjigje deri në botimin e këtij teksti.