Pas angazhimeve për largimin e ujërave nga zonat më të goditura prej përmbytjeve, autoritetet komunale kanë krijuar Komisione ad-hoc për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve. Në Komunën e Skenderajt dhe në atë të Mitrovicës, përllogaritjet fillestare flasin për të paktën dhjetëra miliona euro dëme. E vlerësimi i saktë, në nivel të këtyre komunave, pritet të përcaktohet më së voni deri të dielën
Kati përdhes i shtëpisë së Hamdi Gecit nga Skenderaj, mbeti i mbuluar me baltë, si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e shiut të dy ditëve më parë.
Ai thotë se dëmet që iu shkaktuan janë të mëdha dhe se shkaku i lagështisë, ai bashkë me gjashtë anëtarë të tjerë të familjes, është detyruar të qëndrojë vetëm në katin e dytë.
“Çdo gjë e ka shkatërruar, çka kemi pasur brenda. Si një familje që jeton aty, çdo send nuk është i vlefshëm më, që mundet të hyjë në punë. Tash duhet prej fillimit edhe një herë. Njeri mezi po e bën këtë shtëpi me mund. Sa kohë po mundohet ta bëjë, e tash me një vërshim të ujit çdo gjë na ka çuar dëm. Nuk është për banim”, ka thënë Geci.
Dëme të ngjashme patën edhe banorë të tjerë të Komunës së Skenderajt.
Valon Balaj ankohet se i janë dëmtuar të gjitha makineritë në lokalin e tij afarist, për nxjerrjen e ujit nga i cili të shtunën asistuan ekipe të zjarrfikësve.
“Siç po shihet këtu dëmi është shumë i madh. Ka motorë. Ne bëjmë shitjen dhe servisimin e motorëve. Tash motorë ka brenda, saktë nuk po e di sa motorë janë, por tash do t’i vizitojmë, sepse është në përfundim edhe tërheqja e ujit. I kemi në ndihmë zjarrfikësit dhe komuna ka marrë masa të menjëhershme. Na kanë premtuar se pas dëmit që na u është bërë besoj që do të na përgjigjen”, ka thënë Balaj.
Bazuar në përllogaritjet fillestare, në Komunën e Skenderajt njoftuan se vlera e dëmeve arrin në dhjetëra miliona euro.
Sami Lushtaku, nënkryetar i kësaj komune, tha se tanimë janë krijuar dhjetë komisione për verifikimin e dëmeve dhe se vlera e saktë do të përcaktohet deri të dielën.
“Jo nuk ka shifër. Janë më shumë se 300 shtëpi që janë të demoluara, por ka edhe shtëpi që janë rrënuar. Është në fshatin Llaushë, Tushila dhe në Kuqicë. Kështu që dëmet janë të mëdha”, ka thënë Lushtaku.
Ai tha se qytetarët e goditur nga përmbytjet janë ndihmuar me pako ushqimore nga komuna dhe se nuk kanë pranuar ndonjë formë të ndihmës nga niveli qendror.
Në Komunën e Mitrovicës, gjendje e rëndë me përmbytjet mbizotëroi edhe të shtunën, si pasojë e rritjes së nivelit të ujit nga lumenjtë.
Nënkryetari i kësaj komune, Arian Tahiri, bëri të ditur se janë themeluar tri komisione për vlerësim të dëmeve.
“Ne kemi formuar ekipet dhe komisionet, mirëpo çka është vërejtur dhe çka mund të konstatoj është se ka dëme të mëdha, të cilat kapin vlerën miliona euro, duke filluar nga infrastruktura publike, pastaj edhe pronat private, shtëpitë e njerëzve, automjetet dhe disa bizneset të cilat ndodhen përgjatë rrugës “Mbretëresha Teutë” dhe pjesë të tjera përgjatë lumit “Lushta”, por edhe përgjatë lumit ‘Ibër’”, ka thënë Tahiri.
Krahas Skenderajt dhe Mitrovicës, nga përmbytjet janë prekur edhe Komuna e Pejës, e Podujevës dhe ajo e Klinës dhe Komuna e Istogut.
Të shtunën kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria që të mblidhet me urgjencë dhe të vendosë për ndarjen e fondeve financiare për komunat e prekura nga vërshimet.
“Banorët e atyre zonave po përballën me vështirësi të mëdha, përfshirë mungesën e strehimit. Shtëpitë e dëmtuara e të pabanueshme, dëmet ekonomike dhe shkëputja totale nga normaliteti, e kanë bërë situatën emergjente dhe për këtë kërkohet reagim i shpejtë”, ka thënë Krasniqi. “Përkundër se komunat janë në krye të detyrës, kjo barrë është më e madhe sesa që ato mund ta përballojnë. Andaj, ftoj Qeverinë e Kosovës që të mblidhet me urgjencë, sa më parë, dhe të marrë vendim për të ndarë fonde financiare emergjente për komunat e prekura, si dhe t’i përgjigjet përmbushjes së nevojave të tyre, për sanimin e gjendjes dhe strehimin sa më të shpejtë të njerëzve në shtëpitë e veta”.
Qeveria nuk ka publikuar deri tash ndonjë informatë mbi fondet mbështetëse për nevojat emergjente të krijuara pas përmbytjes, dhe as për shumën që do të mund të ndahej për t’i kompensuar dëmet.
E Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se njësitet profesionale të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent kanë vazhduar angazhimin me pompa për largimin e ujit në shtëpitë dhe në zonat ku ka pasur përmbytje nga vërshimet.
“Në fokus vazhdojnë të jenë kërkesat dhe nevojat e familjeve që janë evakuuar dy ditët e fundit. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme do të vazhdojë koordinimin ndërinstitucional me qëllim të reagimit në rastet e nevojshme dhe ndaj kërkesave të mundshme që do i pranojë nga Komunat dhe nga qytetarët”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) ka bërë thirrje edhe të shtunën që të vlohet uji para përdorimit, me qëllimin për ta evituar çfarëdo infeksioni nga turbullirat e shkaktuara nga vërshimet. Përmes një komunikate IKSHP-ja ka kërkuar që të shfrytëzohen resurset e sigurta ose uji i ambalazhuar.
“Uji para përdorimit patjetër të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse për të parandaluar shpërthimin e epidemive hidrike. Kjo procedurë e vlimit të ujit është aq e thjeshtë dhe e zakonshme, por e domosdoshme për të parandaluar shpërthime epidemike”, thuhet në komunikatë.
Të reshurat gjatë javës në Kosovë kanë shkaktuar përmbytje në një numër të madh komunash, dhe krahas dëmeve në ekonomi familjare, biznesore e në toka bujqësore, ka turbulluar ujërat dhe ka dëmtuar infrastrukturën rrugore dhe rrjetin e energjisë elektrike.