Arbëri

Szunyog: Situata në veri është komplekse

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka qëndruar të enjten në veri të Mitrovicës, me ç’rast ka deklaruar se situata atje është komplekse.

Zyra e BE-së ka njoftuar se Szunyog ka pasur një seri diskutimesh atje me serbët e Kosovës, përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës si dhe me zyrtarët serbë që kanë dhënë dorëheqje nga institucionet.

“Ndërsa situata në veri është komplekse, është e qartë për të gjithë se marrëveshjet aktuale nuk janë të qëndrueshme dhe se paqja e brishtë duhet të zëvendësohet me sigurinë dhe stabilitetin për të gjitha komunitetet që banojnë atje”, ka thënë Szunyog.

Ai ka shtuar se pret angazhimin e mëtejmë të institucioneve të Kosovës për të gjitha komunitetet që jetojnë në veri.

"Ndonëse shumë çështje ende duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja, këto mund të trajtohen vetëm nga institucionet dhe brenda institucioneve. Pres angazhimin e mëtejshëm me të gjitha komunitetet që jetojnë në veri dhe investimet e vazhdueshme të BE-së në këtë pjesë”, ka shtuar ai.