Arbëri

Ndërkombëtarët kërkojnë që veprimet në veri të mos rrezikojnë shërbimet për qytetarët

Këndvështrime të ndryshme sa i përket situatës në veri të Kosovës kanë ndërkombëtarët dhe autoritetet kosovare. Në tri përgjigje të ndara nga përfaqësues të tri ambasadave në Kosovë, referuar veprimeve të Qeverisë, situata në këtë pjesë nuk konsiderohet e shtensionuar. Por sipas ekzekutivit të Kosovës angazhimet e saj institucionale janë bërë me qëllim të përmirësimit të situatës së sigurisë e të mirëqenies për qytetarët dhe vendosjes në kontroll të objekteve e shërbimeve që për afro 25 vjet janë menaxhuar nga struktura të jashtëligjshme

Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë nuk e konsiderojnë të shtensionuar tërësisht situatën e sigurisë në katër komunat në veri. Përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së dhe ata të ShBA-së vlerësojnë se veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve ilegale në veri janë duke kontribuar në këtë drejtim. 

Në një përgjigje me shkrim, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë thotë se veprimet e ekzekutivit kosovar kanë ndikuar negativisht te qytetarët. 

“Nga këndvështrimi i Gjermanisë, ngjarjet e fundit në veri nuk kanë çuar në depërshkallëzim. Përkundrazi, veprimet e autoriteteve kosovare kanë kontribuar në rritjen e ndjenjës së pasigurisë te popullsia e prekur”, thuhet në përgjigjen nga kjo ambasadë.

Me tej në deklaratë theksohet se Qeverisë së Kosovës i është bërë thirrje që të sigurojë se shqetësimet e komuniteteve që preken nga veprimet në veri të adresohen. 

“Ne kemi bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa që përfshijnë në mënyrë të vërtetë komunitetet e prekura dhe që të sigurojë që shqetësimet e tyre të merren parasysh. Ajo që nevojitet është një mjedis që nxit stabilitetin, përfshirjen dhe një rrugë të qëndrueshme drejt një të ardhmeje të begatë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, vlerëson se situata në veri është stabile por e brishtë. Sipas tij, mbyllja e institucioneve ilegale në veri nuk ndihmon në depërshkallëzimin e situatës në veri e veprimet e tilla dërgojnë sinjale negative te partnerët e Kosovës. 

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve, me rrezik për përshkallëzim të tensioneve, prandaj duhet të ndalen. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit dhe për të zgjidhur çështjen e strukturave të menaxhuara nga Serbia. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në përgjigjen e tij.

Sipas ambasadorit francez pas incidenteve të rënda si sulmi në Banjskë e sulmi kundër  kanalit Ibër-Lepenc “ka pasur njëfarë depërshkallëzimi në veri”.

“Vitet e fundit janë karakterizuar nga tensione dhe disa incidente shumë të dhunshme, përfshirë sulmin në Banjskë dhe sulmin me eksploziv ndaj kanalit Ibër-Lepenc. Jam i bindur se populli nuk dëshiron gjë tjetër veçse një jetë paqësore dhe zhvillim ekonomik. Është përgjegjësi e autoriteteve të Kosovës, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, të ofrojnë kornizën e duhur për ta arritur këtë. Çështjet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në përgjigjen e ambasadorit Guerot.

E në Ambasadën amerikane thanë se siguria dhe stabiliteti në Kosovë janë thelbësore për vendin e rajonit. Një zëdhënës i kësaj ambasade bëri thirrje që statusi i institucioneve ilegale të zgjidhet në kuadër të dialogut me Serbinë. 

“Siguria dhe stabiliteti në Kosovë janë thelbësore për vendin dhe për rajonin. Ndryshimet e papritura në statusin e institucioneve rrezikojnë ofrimin e shërbimeve jetike për qytetarët e Kosovës. Është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës që të sigurojë që të gjithë qytetarët e saj të mund të jetojnë në paqe dhe që nevojat e tyre të plotësohen. Qeveria e Kosovës duhet të diskutojë mënyrën se si do të zgjidhet statusi i këtyre institucioneve në mënyrë të koordinuar, përmes kanaleve të përcaktuara, siç është dialogu i udhëhequr nga BE-ja”, thuhet në përgjigje.

Por, këndvështrim tjetër kanë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Zëdhënësi Përparim Kryeziu, vlerëson se me veprimet që janë ndërmarrë nga institucionet përkatëse situata në katër komunat në veri është përmirësuar. 

“Në katër komunat në veri të vendit, në këto katër vjet, sidomos në vitet e fundit, ne kemi shtuar shërbimet e ndërmarrjeve publike e agjencive shtetërore për qytetarë atje, si dhe në të njëjtën kohë e kemi rritur sigurinë publike. Brenda më pak se një viti atje janë hapur më shumë se 300 biznese të reja, që do të thotë më shumë punësim dhe më shumë mirëqenie për banorët atje - dëshmi të normalizimit, sigurisë dhe përmirësimit të situatës në këto komuna”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut.

E në lidhje me mbylljen e strukturave paralele, Kryeziu tha se ato kanë cenuar sigurinë e qytetarëve. 

“Në veri të vendit, veçanërisht në katër komunat veriore, ka pasur struktura ilegale serbe që kanë operuar në mënyrë të jashtëligjshme dhe kundërkushtetuese, dhe të cilat duke ofruar shërbime paralele kanë dëmtuar seriozisht procesin e integrimit të bashkëqytetarëve tanë serbë. Për një kohë të gjatë atje ka pasur një situatë jonormale, me individë, grupe e struktura që kanë cenuar kushtetutshmërinë e vendit dhe sigurinë e qytetarëve. Institucionet tona shtetërore kanë përgjegjësi që mbi bazën e të dhënave dhe provave për veprime ilegale të ndërmarrin veprime”.

Gjatë javëve të fundit, autoritetet kosovare kanë vazhduar aktivitetet në veri me qëllim të vënies në kontroll të objekteve dhe shërbimeve që deri tash menaxhoheshin nga institucioneve ilegale.

Të martën, zyrtarë të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, kanë hyrë në një objekt afër liqenit të Ujmanit, i cili dyshohet se përdorej nga një institucion paralel i Serbisë. 

Derisa ditë më parë, autoritetet në Kosovë kanë marrë në kontroll ndër tjerash, Fabrikën e ujit në Zubin Potok, Kompaninë paralele të ujësjellësit në Mitrovicë të Veriut, atë në Shtërpcë, e Zyrën për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara.