LAJMET E MBRËMJES

BE: Kosova po vepron në kundërshtim me obligimet ndaj nesh

“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se statusi i këtyre strukturave duhet të zgjidhet në përputhje me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, marrëveshjet e arritura dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në prononcimin e zëdhënësit të Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian paralajmëron se veprimet e tilla ndikojnë negativisht në jetët e qytetarëve të Kosovës, “para së gjithash të serbëve”

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për mbylljen e zyrave të fondeve të sigurimeve pensionale dhe shëndetësore të Serbisë në veri të Kosovës.

Përmes një prononcimi të zëdhënësit, BE-ja ka thënë se ky veprim përbën ndërhyrje të pakoordinuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës dhe shkon kundër obligimeve dhe përkushtimeve të vendit ndaj Bashkimit Evropian.

“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se statusi i këtyre strukturave duhet të zgjidhet në përputhje me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, marrëveshjet e arritura dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në prononcimin e zëdhënësit.

Bashkimi Evropian paralajmëron se veprimet e tilla ndikojnë negativisht në jetët e qytetarëve të Kosovës, “para së gjithash të serbëve, por edhe të komuniteteve të tjera”.

“BE-ja u bën thirrje Qeverisë në largim dhe institucioneve relevante të përmbahen nga veprimet provokuese dhe të dëmshme, duke kërkuar konsultim me komunitetin lokal serb dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Një ditë më parë, Inspektorati i Mitrovicës së Veriut ka kryer kontrolle në hapësirat ku vepronin këto institucione të Serbisë.

Sipas njoftimit nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, gjatë kontrollit është konstatuar se personat e hasur në objekt nuk kanë pasur dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë dhe për këtë arsye, puna është pezulluar përkohësisht, ndërsa procedura e mëtejshme do të zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me ligjet dhe kompetencat në fuqi.

Fondi për Sigurime Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut funksionon në kuadër të Fondit Republikan për Sigurime Shëndetësore të Serbisë dhe ofron shërbime në fushën e kujdesit shëndetësor – si vërtetimin e libreza shëndetësore, punët që lidhen me komisionet mjekësore, bën llogaritjen, kontrollin dhe pagesën e kompensimeve financiare, si dhe vërtetimin e kërkesave për ndihma mjekësore-teknike dhe të ngjashme.

Në mjediset ku jetojnë serbët në Kosovë, të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Në vitin 2024, autoritetet e Kosovës kanë nisur mbylljen e disa institucioneve serbe në Kosovë, përfshirë: Postën e Serbisë, Bankën e Kursimeve Postare, organet e përkohshme komunale, qendrat për punë sociale e të tjera.

Ndërkaq, ditë më parë janë marrë nën kontroll nga autoritetet e Kosovës edhe objekte në Graçanicë dhe Shtërpcë që përdoreshin nga Posta e Serbisë.