Gëzim Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka thënë se vonimi i formimit të kabinetit Rama 2 në Komunë po ndodh për shkak të “pazareve dhe ndarjes së kulaçit mes LDK-së dhe PDK-së”.
Që nga zgjedhjet e nëntorit, kryetari Përparim Rama ende nuk e ka prezantuar kabinetin qeverisës për mandatin e dytë.
Tek ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës se ia mundësoi Ramës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sveçla në emisionin “038” në KTV ka thënë se vonesat janë vetëm çështje interesash.
“E dimë që PDK-ja edhe tani si më 2021 e ka mundësuar zgjedhjen e Ramës kryetar. Po të mos ishte PDK-ja Përparim Rama s’do të ishte kryetar. Pa Uran Ismailin s’do ta kishim Ramën kryetar. Vonesat janë çështje të pazareve të tyre. Jam i bindur duke i njohur nga qeverisja e kaluar se nuk bëhet fjalë për parime e programe, por çështje interesash dhe ndarje të kulaçit të pushtetit qoftë në ekzekutiv, qoftë në ndërmarrje publike”, ka thënë ai.
Sipas tij, me këto vonesa po i bëhet dëm i madh kryeqytetit. “Shumë procese kanë mbetur peng i fillimit të punëve të qeverisjes së re dhe si rezultat s’ka asnjë zhvillim pozitiv që prej përfundimit të zgjedhjeve”, ka thënë ai.
Sveçla po ashtu ka akuzuar komunën se qëllimisht po e shkakton “rishfaqjen e mbeturinave” në këtë fazë. Ai ka thënë se po negociohet një kontratë e re me një operator privat për mbledhjen e mbeturinave.
“Çdo kontratë të dëmshme dhe të jashtëligjshme po i paraprin procesi. Pra është që qyteti të duket sa më i dëmtuar që më pas nënshkrimi të duket si shpëtim. Por në fakt është e jashtëligjshme”, ka thënë ai.