Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, në një konferencë për media ka kritikuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se qytetarët po përballen me ditën e dytë pa shërbime të trafikut urban për shkak të “politikave të gabuara” të kryetarit Rama.
Sveçla deklaroi se thirrja e seancës nga legjislatura e kaluar të Kuvendit Komunal tregon “pranimin e fajësisë” nga Rama, ndërsa e akuzoi atë për “shfaqje teatrale” dhe mungesë empatie ndaj punëtorëve të Trafikut Urban.
“Zhvillimet në kryeqytet janë të jashtëzakonshme, është dita e dytë që qytetarët e Prishtinës janë të privuar nga shërbimet e trafikut urban dhe gjithë kjo si rezultat i politikës dhe qasjes së Përparim Ramës, Lidhjes Demokratike të Kosovës në krye me Lumir Abdixhikun. Sot kishim deklaratë të Rama që tha se thirrja e seancës për legjislaturën e kaluar të asamblesë së Kuvendit Komunal të Prishtinës është një mundësi opsionale për t’i inkasuar të hyrat vetanake dhe për të cilat ai tashmë e sa kohë ka ngritur kauzë të vetën dhe të partisë së vet. Vet ftesa për këtë seancë e dëshmon pranimin e fajësisë nga zotëri Rama, i cili ka traumatizuar qytetarët e Prishtinës. Ai filluar të bëjë shfaqje teatrale, siç ishin ato sot që i pamë në mesin e protestuesve, në mesin e punëtorëve të Trafikut Urban, ku në stilin e një banditesku bërtiste qiti paret, qiti paret, sepse tashmë ai e ka kuptuar që edhe punëtorët e Trafikut e Urban e kanë kuptuar se ku është adresa e dështimit të ndërmarrjes së tyre”, deklaroi Sveçla në konferencë për media të martëen.
Ai theksoi se deklarata e presidentes Vjosa Osmani, sipas së cilës kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte shprehur gatishmëri për të mundësuar votimin e buxhetit të Prishtinës, ndërsa partitë e tjera jo, e “demaskon”, siç tha, kauzën e LDK-së dhe Ramës për bllokimin e buxhetit.
“Me bindje të plotë e them që zotëri Rama nuk ka kurrfarë empatie ndaj punëtorëve dhe ndaj qytetarëve të Prishtinës. Këto skena teatrale të Përparim Ramës janë shfaqje të tij. Është e rëndësishme të potencohen dy momente të cilat shumë qartë e kanë demaskuar dhe e kanë çmontuar kauzën e rrejshme të Përparim Ramës dhe Lumir Abdixhikut për bllokadë të buxhetit të Prishtinës nga ana e Qeverisë së Kosovës. Momenti i parë është një deklaratë e presidentes e cila qartë tha se kishte një gatishmëri nga LVV, konkretisht nga kryeministri Albin Kurti, i cili hoqi dorë nga votimi i buxhetit të Kosovës për vitin 2026, me të vetmin qëllim që të votohet buxheti i Prishtinës dhe disa marrëveshje ndërkombëtare dhe gjithashtu deklaroi se nuk kishte gatishmëri nga subjekte të tjera politike”, shtoi ai. /EO