Arbëri

Sveçla publikon videon, në manifestimin e maturantëve në veri pati thirrje anti-Kosovë

Xhelal Svecla

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video në të cilën shihen disa persona tek kanë bërë thirrjen shoviniste “Kosova është zemra e Serbisë” gjatë manifestimit të maturantëve në Mitrovicë të Veriut të premten.

Gjatë ditës, politikani serb, Aleksander Arsenijeviq, publikoi një video në të cilën shihet intervenimi i Policisë së Kosovës në këtë defilim të maturantëve. Aty një polic u pa tek ndërhyn te një i ri dhe dëgjohet tek i thotë të mos ketë provokime. Në pamje shihet edhe një person që bën shqiponjën. Policia megjithatë ka vlerësuar se aktiviteti ka përfunduar qetë dhe pa probleme.

E në veri dhe në Beogradin zyrtar pati reagime duke e cilësuar incident ndëretnik dhe të tepruar forcën e ushtruar nga Policia e Kosovës. Të tepruar e konsideroi këtë forcë edhe shefi i EULEX-it.

Ndërkaq, Sveçla ka thënë se pos kësaj thirrjeje, në manifestim ka pasur edhe simbol të tre gishtave. Ai ka thënë se Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të evituar përshkallëzimin.

“Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës gëzojnë të drejtën e organizimit dhe manifestimit në hapësira publike dhe veçanërisht kur ato njoftohen në organet e rendit. I tillë ishte edhe manifestimi i sotëm i maturantëve në Mitrovicën e veriut. Pas njoftimit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha hapat që sigurojnë mbarëvajtje të plotë të këtij manifestimi. Gjatë manifestimit, disa pjesëmarrës kanë filluar provokimet ndaj qytetarëve të pranishëm në shesh me simbole nacionaliste dhe thirrje shoviniste ‘Kosova është zemra e Serbisë’ dhe me simbolin e tre gishtave që jo vetëm përkujtojnë spastrimin etnik dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë, por manifestojnë edhe pretendimet që ky shtet ka ndaj Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka thënë se aktet e ngjashme burimin e kanë te regjimi autokrat dhe prorus i Vuçiqit. Sveçla ka bërë thirrje që qytetarët të mos bien pre e provokimeve.

“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim të mos bien në provokime të ngjajshme si dhe apeloj të mos instrumentalizohen nga Beogradi zyrtar dhe kryekrimineli Radoiçiq që duan eskalim dhe destabilizim të situatës në Kosovë”, ka shtuar Sveçla.

Lexo përditësimet tjera
Policia e Kosovës

Policia: Nuk pati eskalim në defilimin e maturantëve në veri

Policia e Kosovës ka thënë se të premten nuk ka pasur ndonjë eskalim gjatë defilimit të...