Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sveçla: Jemi në fazën finale të njohjes së patentë shoferëve të Kosovës nga Gjermania

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë në fazën finale të njohjes së patentë shoferëve të Kosovës nga Gjermania.

Sveçla bëri të ditur se është takuar të mërkurën me homologun e tij nga Baravia, në Republikën Federale të Gjermanisë, Joachim Herrmann me të cilin, kanë diskutuar edhe për prioritetet në luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin socio-ekonomik veçanërisht tani gjatë përballjes me pandeminë Covid-19.

“Duke pasur parasysh që një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve tanë jetojnë në zonën e Bavarisë dhe në gjithë Republikën e Gjermanisë, biseduam për politika konkrete që lehtësojnë jetën dhe angazhimet e tyre atje. Ne tanimë jemi në fazën finale të njohjes së patentë shoferëve të Republikës së Kosovës nga Gjermania dhe këta janë hapat tanë konkret në këtë drejtim”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai më tej njoftoi se liberalizimi I vizave për qytetarët e Kosovës, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në Interpol, janë synimet për të cilat e ka njoftuar ministrin Herrmann, që janë duke u angazhuar intensivisht për t’i realizuar, por që kanë nevojë edhe për angazhimin dhe ndihmën e tyre.

“Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit mes Policisë së Bavarisë dhe Policisë së Kosovës, bashkëpunimin në shkëmbim të informatave dhe zgjerim të bashkëpunimit bilateral të Ministrive tona, që padyshim do të lehtësojnë zbatimin e prioriteteve tona dhe për të gjitha këto kishte gatishmëri të plotë nga z. Herrmann”, njoftoi më tej Sveçla.