Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sveçla u kërkon zyrtarëve francezë përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim një delegacion me zyrtarë të lartë të Francës dhe Evropës.

Sipas njoftimit për media të ministrisë, Sveçla në këtë takim ka kërkuar përmbyllje sa më të shpejtë të procesit të liberalizmit të vizave për Kosovën.

“Franca është jashtëzakonisht e kënaqur me bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informatave në fushën policore e të migracionit. Ky proces tashmë ka hyrë në fazën finale dhe po diskutohet në formatin e Grupit për Viza të Këshillit të BE-së. Si Republikë e Kosovës kërkuam përmbylljen sa më shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave meqë qytetarët tanë e meritojnë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të dyja palët u pajtuan që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për viza dhe ka shënuar progres në vazhdimësi në fushat përkatëse si riatdhesimi, siguria e dokumenteve, rendi publik e luftimi i krimit të organizuar e korrupsioni si dhe të drejtat fundamentale njerëzore.

“Përveç bashkëpunimit me Republikën e Francës në fushën e sigurisë, përgjatë këtij takimi, ministri Sveçla dhe ekipet teknike të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës prezantuan të arriturat tona në luftimin e krimit dhe korrupsionit, luftimin e kontrabandës me migrantë, si dhe për bashkëpunimin me Francën në fushën e ripranimit dhe riatdhesimit”, thuhet në njoftim.