Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shprehur optimist të hënën, për liberalizimin e vizave për Kosovën brenda këtij viti, pavarësisht kushtit të ri të propozuar nga Franca javën e kaluar.
Sveçla ka thënë se të gjitha shtetet tjera kanë qëndrim pozitiv për këtë çështje, për çka takimet do të vazhdojnë së shpejti.
“Besoj se shumicën e gjërave me pushtetin e Francës, me autoritetet franceze i kemi sqaruar. Të gjitha argumentet që unë i kam përdorur, kanë qenë të pranueshme nga ata. Tashmë është çështje teknike, këto procedurat të cilat po kërkohen dhe për të cilat unë besoj se do të kemi argumente që të mos ketë vonesa në ofrimin e të drejtave të qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë në zonën Schengen. Unë jam optimist, se jo vetëm Franca, por edhe të gjitha shtetet e BE-së kanë qëndrim pozitiv në raport me këtë çështje. Besoj se ditëve në vazhdim ku do të kemi takime, unë do të jem edhe në Pragë, do të sqarohen këto gjëra”, tha ai në një intervistë për “A2CNN”.
Sa i përket propozimit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, Sveçla tha se Evropa në këtë moment duhet të jetë më e vendosur.