Arbëri

Suspendohet drejtori i RTK2

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka suspenduar nga detyra drejtorin e RTK 2 (kanalit në gjuhën serbe), Zhelko Tvërdishiq, pas raportimit që ka bërë ky medium për sulmin mbi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Sipas njoftimit të RTK-së, suspendimi vlen për 30 ditë.

RTK 2 i pati cilësuar viktima tre sulmuesit e vrarë në aksionin e policisë në Banjskë, pak pasi grupi i armatosur e uniformuar serb vrau policin e Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Pas një diskutimi të detajuar dhe një analize të situatës rreth kronikës së transmetuar në lajmet e RTK2 (kanali në gjuhën serbe) me date 28 shtator 2023, pas propozimit nga drejtori i përgjithshëm, Bordi i RTK-së në mënyrë unanime ka vendosur për suspendimin nga detyra për një afat 30 ditor të drejtorit të RTK2, Željko Tvrdišić. Kjo masë është marrë në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi”, thuhet në njoftim të RTK-së.

Menaxhmenti i RTK-së ka thënë se do të kryejë analizë të hollësishme të situatës për t’i identifikuar shkeljet e standardeve profesionale. Po ashtu, RTK-ja ka paralajmëruar masa të tjera disiplinore ndaj të gjithë individëve të përfshirë në shkelje.