Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Suspendohen 2 ushtarët malazias të cilët shkuan në Manastirin e Deçanit me targat “Kosova është Serbi”

ushtaret e Maliti te Zi

Foto: Ilustrim

Pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi, që janë në paraburgim për nxitje të urrejtjes nga 24 nëntori, pritet të suspendohen nga ushtria, raportojnë mediat malaziase. Siç ka konfirmuar Gjykata e Apelit ata kanë parashtruar ankesë lidhur me masën e paraburgimit. E Prokuroria Themelore në Pejë i ka kërkuar Prokurorisë Speciale të merret me këtë rast.

Dy pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi të arrestuar së fundmi në Kosovë do të suspendohen dhe ndaj tyre do të fillojë procedura disiplinore për mos informimin e eprorëve se do të udhëtonin jashtë vendit, ka raportuar “Vijesti”.

Rajko Krivokapiq, 34 vjeç dhe Dragutin Llallatoviq, 24 vjeç, u arrestuan për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në Manastirin e Deçanit më 24 nëntor, mbanin mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Ata janë në paraburgim pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se dy të dyshuarit kanë përdorur gjuhë të urrejtjes edhe ndaj zyrtarëve policorë gjatë intervistimit, andaj prokuroria kërkoi paraburgimin e tyre, gjë që edhe e miratoi Gjykata Themelore në Pejë.

Në këtë institucion kanë treguar se për rastin i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale që ta marrë, meqë përputhet me kompetencën e saj, për t’i trajtuar lëndët në kapitullin e veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

E Prokuroria Speciale e kontaktuar nga KOHA gjatë pasdites, nuk është përgjigjur nëse e ka trajtuar këtë kërkesë apo jo.

KOHA e ka konfirmuar me Gjykatën e Apelit se të mërkurën mbrojtësit e dy të dyshuarve kanë parashtruar ankesë ndaj masës së paraburgimit.  

Edhe Apeli lë në paraburgim ushtarët malazias që mbajtën në veturë targat “Kosova është Serbi” Arbëri Apeli lë në paraburgim ushtarët malazias që mbajtën në veturë targat “Kosova është Serbi”

Demokracia e Re Serbe (NSD), Partia që e udhëheq kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka reaguar lidhur me arrestimin.

“Ky incident është vetëm një nga rastet e shumta të terrorit ndaj popullit serb në Kosovë, i cili tashmë është shtrirë edhe ndaj qytetarëve të Malit të Zi”, thuhet në reagim.

Edhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi ka reaguar lidhur me arrestimin dhe paraburgimin e dy shtetasve malazias dhe i ka kërkuar reagim institucioneve të Malit të Zi.

Lexo përditësimet tjera
Ushtria e Malit të zi

Dy ushtarët e Malit të Zi që u arrestuan në Kosovë do të suspendohen

Dy pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi të arrestuar së fundmi në Kosovë do të...