Arbëri

Lirohen tre malazezët që dyshoheshin për targat “Kosova është Serbi”

Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale

Foto: Driton Paçarada

Kanë përfunduar hetimet ndaj tre malazezëve që ishin arrestuar më 24 nëntor nën dyshimin se nëpër Deçan kanë lëvizur me veturë ku në targa ishte e shkruar serbisht “Kosova është Serbi”.

Vendimi është konfirmuar nga Prokuroria Speciale dhe avokatja Jovana Filipoviq, përfaqësuese e njërit prej tre të arrestuarve.

“Konfirmoj se për personat për të cilët keni pyetur ka pushuar hetimi, në drejtim të veprës penale ‘Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’, pasi që nga provat e siguruara nuk është vërtetuar se të pandehurit R.K. M.J. dhe D.L. e kanë kryer veprën penale, për të cilën është zhvilluar hetimi nga Prokuroria Speciale”, thuhet në përgjigjen e Liridona Kozmaqit, udhëheqëse e Zyrës për Komunikim në këtë prokurori për KOHËN të premten.

Dy ushtarët e Malit të Zi dhe një shtetas tjetër i këtij vendi ishin në paraburgim që nga 26 nëntori. Të tre dyshoheshin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

Mbrojtësit e të pandehurve kishin thënë se Kosova dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie ndërshtetërore dhe se sipas tyre fraza “Kosova është Serbi” hyn në domenin e lirisë së shprehjes.

Mbajtja e tre shtetasve malazezë qe diskutuar edhe në Kuvendin e Malit të Zi, ku partitë proserbe kanë kërkuar lirimin e tyre, duke i kërkuar edhe deputetit shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, Ilir Çapuni, që të ndikojë të institucionet e Kosovës.