Presidenti i ardhshëm i Kosovës nuk duhet të jetë rezultat i imponimit nga asnjëra palë politike, ka vlerësuar publicisti Veton Surroi, duke bërë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje që respekton parimet demokratike dhe kërkon konsensus më të gjerë institucional.
Në një sugjerim për partitë politike pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, Surroi theksoi se zgjedhja e presidentit duhet të ndërtojë një baraspeshë ndërmjet dy parimeve themelore demokratike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas tij, subjekti që ka fituar më së shumti përkrahje në zgjedhje nuk e ka të drejtën ta imponojë zgjedhjen e presidentit vetëm duke u mbështetur në mandatin që ka marrë për të qeverisur vendin.
Njëkohësisht, ai vlerësoi se as subjektet që kanë fituar më pak përkrahje nuk duhet ta imponojnë zgjedhjen e kreut të shtetit duke u mbështetur vetëm në kapacitetin e tyre bllokues, që buron nga kërkesa kushtetuese për pjesëmarrjen e dy të tretave të deputetëve në proces.
“Subjekti që ka fituar më së shumti përkrahje nuk e ka të drejtën ta imponojë zgjedhjen e Presidentit vetëm duke u mbështetur në mandatin që ka marrë për të qeverisur vendin. Subjektet që kanë fituar më pak përkrahje nuk e kanë të drejtën ta imponojnë zgjedhjen e Presidentit duke u mbështetur vetëm në kapacitetin e tyre bllokues, që buron nga kërkesa kushtetuese për pjesëmarrjen e dy të tretave të deputetëve”, ka shkruar Surroi në Facebook.
Surroi ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit kanë sjellë një qartësi të re për qeverisjen e ardhshme, duke theksuar se subjektit të parë i takon përgjegjësia për krijimin e qeverisë, por se kjo nuk e përjashton nevojën për kompromis institucional dhe bashkëpunim politik në çështjet që kërkojnë konsensus më të gjerë.
Tutje, Surroi ka thënë se duhet t’i jepet fund iluzioneve se mund të ndodhin ndryshime drastike me zgjedhjet e shpeshta.
Postimi i plotë i Surroit:
Disa sugjerime partive politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit
1. Kosova hyri në krizë politike pas zgjedhjeve të shkurtit 2025 dhe përpjekja për ta zgjidhur atë përmes ndryshimit të raportit të forcave në zgjedhje nuk pati sukses. Raporti i forcave mbeti në zona të përafërta me ato të fillimit të krizës. Kjo sugjeron se Kosova tashmë ka një skenë politike të konsoliduar, e cila nuk pritet të ndryshojë rrënjësisht përmes zgjedhjeve të shpeshta.
2. Zgjedhjet e shpeshta kanë prodhuar një kosto demokratike të matshme. Krahasuar me zgjedhjet e shkurtit 2025, rreth 100 mijë qytetarë më pak morën pjesë në votim. Partitë që kanë qenë në opozitë humbën përpjestimisht më së shumti, pothuajse një të pestën e elektoratit të tyre. Krahasimisht, partia në pushtet humbi vetëm rreth 3.5 për qind të elektoratit të vet.
3. Zgjedhjet e 7 qershorit duhet t’i japin fund iluzionit se ndryshime dramatike politike mund të prodhohen përmes zgjedhjeve të shpeshta apo mbajtjes së vendit në krizë të vazhdueshme. Përvoja e një viti e gjysmë tregon se kriza nuk e ka ndryshuar renditjen e forcave politike; ajo vetëm ka konsumuar energjinë institucionale dhe pjesëmarrjen qytetare.
4. Rezultatet zgjedhore dhanë një qartësi të re për qeverisjen e ardhshme. Subjekti i parë ka marrë më shumë përkrahje zgjedhore sesa tri partitë pasuese së bashku dhe, rrjedhimisht, i takon atij detyra për krijimin e qeverisë. Njëkohësisht, kjo përkrahje nuk e përjashton nevojën për kompromis institucional dhe për ndërtimin e një kulture të bashkëqeverisjes në çështjet që kërkojnë konsensus më të gjerë.
5. Zgjedhja e Presidentit të Republikës duhet të ndërtojë një baraspeshë ndërmjet dy parimeve themelore demokratike:
• Subjekti që ka fituar më së shumti përkrahje nuk e ka të drejtën ta imponojë zgjedhjen e Presidentit vetëm duke u mbështetur në mandatin që ka marrë për të qeverisur vendin.
• Subjektet që kanë fituar më pak përkrahje nuk e kanë të drejtën ta imponojnë zgjedhjen e Presidentit duke u mbështetur vetëm në kapacitetin e tyre bllokues, që buron nga kërkesa kushtetuese për pjesëmarrjen e dy të tretave të deputetëve.