Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Surroi: Mbi 100 mijë votues më pak, sinjal i lodhjes nga zgjedhjet e shpeshta

veton surroi

Publicisti Veton Surroi ka vlerësuar se rënia e pjesëmarrjes në votim në zgjedhjet e 7 qershorit është sinjal i lodhjes nga proceset e shpeshta zgjedhore.

Duke renditur disa pika analizuese, Surroi ka theksuar se qytetarët nuk janë të interesuar për cikle të vazhdueshme zgjedhore, por për gjetjen e një zgjidhjeje për të konsoliduar institucionet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Krahasuar me zgjedhjet e shkurtit 2025, mbi njëqind mijë qytetarë më pak kanë marrë pjesë në votim. Ky fakt mund të interpretohet si një sinjal lodhjeje zgjedhore dhe si një pritshmëri e qytetarëve që energjia politike të mos përqendrohet në cikle të pafundme zgjedhore, por në gjetjen e zgjidhjeve për konsolidimin institucional dhe funksional të shtetit”, ka shkruar ai në Facebook.

Surroi ka deklaruar se zgjedhjet e djeshme kanë dëshmuar një demokraci zgjedhore të konsoliduar në Kosovë, duke theksuar se organizimi i procesit, respektimi i rregullave të garës dhe sjellja e aktorëve politikë gjatë ditës së votimit e vendosin vendin në një pozitë shembullore në rajon.

Sipas tij, vetëm pas përfundimit të numërimit do të mund të vlerësohet me saktësi se si ka evoluar mbështetja për secilin subjekt politik gjatë një periudhe prej rreth një viti e gjysmë.

Ai ka sugjeruar që krahasimi më i përshtatshëm për interpretimin e rezultatit të jetë me zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025, e jo me ato të dhjetorit të po atij viti, të cilat i konsideron si një përjashtim statistikor nga trendi afatgjatë elektoral.

Megjithatë, Surroi vlerëson se një element tashmë është i qartë: distanca e konsiderueshme mes subjektit të parë politik dhe partive të tjera. 

Sipas tij, ekziston mundësia që subjekti fitues të ruajë një mbështetje që i afrohet ose e tejkalon mbështetjen e tri partive kryesore opozitare së bashku.

“Pavarësisht ndikimit që mund të kenë votat ende të panumëruara, një element tashmë duket i qartë: distanca e madhe ndërmjet subjektit të parë dhe subjekteve të tjera politike. Ka gjasa reale që subjekti i parë të ruajë një nivel mbështetjeje që i afrohet ose e tejkalon mbështetjen e tri partive kryesore opozitare të marra së bashku. Kjo është një e dhënë me rëndësi të veçantë për interpretimin politik të rezultatit”, ka shkruar ai në Facebook.

Në analizën e tij, Surroi ka theksuar se zgjedhjet nuk po prodhojnë ndryshime të mëdha në raportet e forcave politike, por po konfirmojnë një ekuilibër relativisht të qëndrueshëm në skenën politike të Kosovës. 

Kjo, sipas tij, duhet t’i shtyjë partitë politike të heqin dorë nga pritjet se zgjedhjet e shpeshta të parakohshme do të sjellin rezultate dukshëm të ndryshme.