Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sulmi në spital në Gaza, Rama: Nuk ka asnjë justifikim dhe asnjë falje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për sulmin e mbrëmshëm raketor ndaj një spitali në Gaza, ku mbetën qindra të vdekur.

Rama ka thënë se “nuk ka asnjë justifikim dhe asnjë falje, në asnjë rrethanë”, për të sulmuar infrastrukturën mjekësore, civilët dhe ekipet mjekësore.

“Është thellësisht tronditëse të shohësh pamjet e bombardimit të spitalit Al-Ahli në Gaza, ku qindra njerëz u masakruan dhe humbën jetën. Sipas të drejtës ndërkombëtare dhe ligjeve të luftës që prej kohësh, të sëmurët dhe të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk duhet të jenë në shënjestër”, ka shkruar Rama në X.

Tutje Rama ka thënë se deklarata e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se kjo masakër “është kryer nga vetë terroristët barbarë” është alarmante, por se nuk mjafton për të ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese.

“Prandaj, duhet të mblidhen të gjitha faktet e mundshme dhe përgjegjësia për këtë goditje të tmerrshme duhet të hetohet tërësisht për hir të gjithë njerëzimit”, u shpreh Rama.

Edhe Faji “jetim” për masakrën në spitalin e Gazës Botë Faji “jetim” për masakrën në spitalin e Gazës

“Hamasi është kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk justifikon mbylljen e syve ndaj imazheve të tmerrshme të spitalit të bombarduar ose thjesht duke u mbështetur në deklaratën thellësisht tronditëse të kryeministrit të Izraelit. Në këtë konflikt, Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike qëndrojnë fort në anën e Izraelit, të shënjestruar barbarisht nga shthurja e terroristëve të Hamasit! Megjithatë, bota demokratike duhet të jetë edhe garantuese e së vërtetës dhe e drejtësisë për qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza. Prandaj, hetimi i fakteve për identifikimin e autorëve të kësaj kasaphane masive dhe sigurimi i dënimit të tyre pa asnjë ekuivok është përgjegjësi e padiskutueshme dhe detyrim thelbësor i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit”, përfundoi Rama.

Mbetet e paqartë se kush është përgjegjës për sulmin në spitalin e Gazës. Izraeli ka pretenduar se një raketë e Xhihadit Islamik palestinez është lëshuar gabim dhe ka rënë në spital - Hamasi ka fajësuar Izraelin. Nga ky sulm vdiqën më shumë se 500 persona.