Arbëri

Sulmi ndaj gruas rome cilësohet racist e barbarë, kërkohen masa edhe për ata që quan deri te ky rast

Për një periudhë të shkurt u sulmua dy herë dhe atë në dy qytetet të ndryshme të Kosovës. Lajme të rreme nga disa portale e akuzuan pa bazë se bëhej fjalë “për një burrë i veshur me rroba të grave, që po rrëmben fëmijë”. Kjo mjaftoi që grupe të rinjsh ta “marrin në dorë drejtësinë”, ani pse Policia e tha qartë, se gruaja rome Z.S, nuk paraqiste kurrfarë rreziku dhe se nuk kishte pas kurrë precedent penal. Sipas Policisë ajo nuk kishte histori kriminale, por kjo nuk i ndaloi disa të rijnë në Lipjan e Ferizaj ta tallnin e pastaj ta sulmojnë brutalisht.

Sulmin, si brutal e primitiv po e sheh zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Vesel Makolli. Ai për Koha.net ka thënë se sulmi ndaj saj është akt barbarë që duhet të sanksionohet maksimalisht. Makolli thotë rasti duhet të trajtohet si i veçuar, pasi që sipas tij, nuk është pasqyrë e bashkëjetesës në Kosovë.

“Ky rast është i veçuar dhe nuk është pasqyrë e bashkëjetesës, tolerancës e zemërgjerësisë sonë dhe ashtu si rast i izoluar duhet të trajtohet. Organet shtetërore kanë marrë masat e duhura, si ato gjyqësore ndaj personave që e kanë sulmuar këtë grua, po ashtu edhe masa adekuate nga Qendra Sociale”, ka thënë ai.

Lexo edhe: Disa të rinj në Lipjan sulmojnë gruan rome, njëri e rrëzon përtokë me grusht pas koke

Sipas tij, në Kosovë kanë jetuar dhe jetojnë shumë komunitete dhe asnjëherë nuk ka pasur diskriminim.

Veseli thotë se organet përgjegjëse duhet të ndërmarrin masat më rigoroze që personat që e kanë sulmuar të ndëshkohen maksimalisht.

Ai iu ka bërë thirrje medieve që të ndalojnë praktikat e tilla të publikimit të lajmeve të pavërtetuara, pasi që sipas tij, këto dhe raste të ngjashme ndikojnë negativisht në imazhin e vendit.

“Mjetet e informimit duhet të kenë kujdes gjatë postimit të lajmit, sidomos portalet, pasi që në këtë rast informimi jo real ka ndikuar që masa të njoftohet me një dezinformatë, kinse kemi të bëjmë me një mashkull të veshur si grua nga i cili ekziston rreziku për kidnapimin e fëmijëve”, thotë ai.

Sipas Makollit, lirimi i saj nga Qendra Sociale nuk paraqet rrezik për sigurinë e saj, pasi thotë se opinioni është informuar se lajmi nuk ka qenë i vërtetë.

Ndërkaq Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, sulmin ndaj Z.S e cilëson si diskriminim të rëndë. Ai për Koha.net thotë se me të marrë lajmin, institucioni i Avokatit ka ofruar rekomandimet e tij për trajtimin e mëtutjeshëm të rastit.

“Me të marrë lajmin ne kemi shkuar në Ferizaj, për ta parë punën e autoriteteve publike të thirrura për të vepruar në këto situata. Kemi asistuar mu për shkak të ndjeshmërisë që ka pasur ky rast dhe shkeljeve që janë bërë. Në këtë situatë, është një diskriminim i rëndë edhe përveç shkaktimit të lëndimeve trupore, përfshinë edhe efektin që mund të ketë tek pjesëtarët e këtij komuniteti”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se tash e tutje autoritetet duhet të jenë më të përgjegjshme në veprimet që marrin karshi situatave të tilla.

Sipas Jasharit, Prokuroria duhet ta thotë fjalën e saj për sulmin gjithashtu edhe për publikimin e fotografive në portale dhe rrjete sociale.

“Në këto situata do të duhej të mbaheshin përgjegjës personat që kanë kryer sulmin. Nuk mjafton vetëm me u marrë me viktimën por në të njëjtën kohë duhet me u marrë edhe me ata që e kanë shkelur të drejtën e personave për publikimin e pamjeve dhe fotografive që është vepër penale gjithashtu, mirëpo këtu duhet me reaguar Prokuroria për me dalë me një qëndrim në fund të fundit ose me fillu me vepruar në këto situata”, ka thënë Jashari.

Lexo edhe: Sulmi i dytë ndaj gruas rome në Ferizaj

Ndërkaq, drejtori i KMDLNJ-së, Behgjet Shala, për Koha.net sulmin e kanë cilësuar si racist, pasi që sipas tij, nuk ka pasur asnjë shkas për reagim të tillë. Ai thotë se një situatë e tillë u krijua nga disa medie elektronike të cilat personin në fjalë e ngritën në piedestalët e një krimineli.

“Kjo situatë u krijua nga disa portale të cilat gruan e ngritën në piedestalët e një krimineli. Kemi menduar që pas sulmit të parë ndoshta do të ketë këndellje edhe do të ketë reagim edhe nga ata të cilët janë përgjegjës për siguri, por pas dy ditëve ndodhi rasti në Ferizaj i cili ishte edhe më i rëndë se ai në Lipjan”, thotë ai.

Ai thotë se, Policia nuk është dashur ta lëshojë nga Qendra Sociale, deri në një vendim, pasi që siç thotë ai, asaj i është rrezikuar jeta.

“Mendoj që policia në rastet e tilla kur rrezikohet jeta e dikujt, është dashur ta bëjë një trajtim të detyrueshëm deri në momentin kur të merret një vendim tjetër. Përderisa është sulmuar edhe në Lipjan edhe në Ferizaj, por për vetë faktin se ajo po i ndërron qytetet mund të mos jetë e sigurt. Liria e lëvizjes është e drejtë e garantuar. Por, ajo sikur po e din se në çfarë gjendje është edhe prapë po shkon diku, unë mendoj që më tepër ka të bëjë me probleme të natyrës shëndetësore”, thotë ai.

Shala pohon se për komunitetin rom është krijuar bazë ligjore, por se është i pazbatueshëm.

“Romët në Kosovë, është krijuar një bazë ligjore për ta, por është më tepër e pazbatueshme sepse nuk zbatohet në tërësi".

Ndërkaq, Albert Kinolli, nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se ky gjest është i pafalshëm dhe është njollosje e institucioneve të Kosovës.

Gruaja nga komuniteti rom me inicialët Z.S që nga dita e premte po qëndron në Qendrën Sociale në Ferizaj.

Këtë e ka konfirmuar për Koha.net edhe majori i Policisë në këtë qendër, Mehmet Alihajdini, derisa sipas tij, është paralajmëruar që të hënën të merret vendim për të, nga organet përgjegjëse.