Policia e Kosovës ka shoqëruar në polici një person të dyshuar se ka qenë i përfshirë në sulmin që iu bë grua 29 vjeçare në Lipjan, raporton KTV.
Sipas Policisë, i dyshuari 17 vjeçar, pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka nisur hetimet për rastin, pas publikimit të kësaj videoje, ku të rinj në mënyrë të shfrenuar gjuanin, shanin dhe rrahën gruan.
Sulmi ndaj gruas Z.S. ndodhi të mërkurën, pasi gjatë gjithë ditës në rrjete sociale, por edhe disa media, rrejshëm u shpërnda fotoja e kësaj gruaje duke thënë se ajo ka kidnapuar disa fëmijë në qytete të ndryshme të Kosovës.
Afër sheshit të Lipjanit ku ka ndodhur sulmi, është shkolla fillore “Vëllezërit Frashri”, derisa sulmuesit qartë duken në video se janë nxënës.
Por, drejtori i kësaj shkolle thotë se nuk ka arritur të identifikojë nëse ndonjë nxënës i shkollës së tij, është përfshirë në atë sulm.
Në shenjë solidarizimi me gruan e sulmuar dhe kundër homofobisë, është organizuar protestë në Prishtinë.
Sulmin e ka dënuar edhe Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës.
Sipas kësaj organizate, sjellja brutale ndaj një gruaje, e cila vjen nga komuniteti rom, e që është dyfish e diskriminuar, duhet ta marrë dënimin e merituar dhe të mos mbetet vetëm në suaza të deklaratave.
Z.S ishte riatdhesuar nga Belgjika në Kosovë në vitin 2011.
Policia ka konfirmuar se ndaj saj nuk ka asnjë dyshim për përfshirje në ndonjë vepër penale.