Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Studentit me diplomë jovalide i premtohet zgjidhje nga MASHTI

Kushtrim Veliu, ish-student i njërit prej kolegjeve private në Kosovë ka thënë se ka zhvillime pozitive sa i përket problematikës së tij me validitetin e diplomës së mjekësisë, një javë pasi e kishte paraqitur atë në “Java Sonte me Rronin” në KTV.

Veliu ka thënë se gjatë ditës së enjte ka pasur një takim me zëvendësministrin e Arsimit, Dukagjin Pupovci, nga i cili ka marr lajme pozitive për problemin e tij.

“Gjatë ditës së djeshme kemi qenë një takim me zëvendësministrin e Arsimit Dukagjin Pupovci. Takimi ka qenë pozitiv për arsye se kemi marrë lajme pozitive, ata para se ne ta bëjmë emisionin, ishin takuar. Ka pasur një dakordim total mes zyrës së NARIK-ut dhe Ministrisë së Arsimit, janë duke e përfunduar një dokument që do të dërgohet te ministrja Nagavci dhe me vulën dhe miratimin e saj parashihet formimi i një Komisioni i cili do të bëjë zgjidhjen në mënyrë individuale me çdo student. Kur e kemi pyetur zëvendësministrin Pupovci se a ka mundësi që ky Komision të rrëzohet, ai na ka informuar se edhe në të kaluarën nuk është se nuk janë marrë me këtë çështje dhe se nuk kanë formuar komisione, por që ato komisione janë rrëzuar pasi që kanë dashur të bëjnë një amnisti totale në krejt problemet në sistemin tonë arsimor”, ka thënë Veliu në “Java Sonte me Rronin”.

Ai ka shtuar se Pupovci e ka theksuar se duhet të gjendet fajtori se përse libri amë për disa gjenerata të studentëve në kolegjin ku ai ka studiuar nuk është dorëzuar fare, ose është dorëzuar me vonesë.

Veliu ka shtuar se pas paraqitjes së tij në emision një javë më parë, ka pasur shumë interesim nga studentë të tjerë me problematika të njëjta që të shohin se si të bëjnë zgjidhje.

“Më kanë shënuar edhe shumë studentë të universiteteve private dhe shtetërore me problematika të ndryshme. Kemi të bëjmë me studentë që janë regjistruar në infermieri dhe kur kanë shkuar në MASHT figurojnë si studentë të kriminalistikës”, ka thënë Veliu.