Kushtrim Veliu është një nga mbi 15 mijë studentët të cilët të premten morën lajmin se diplomat e tyre janë verifikuar, pas disa vitesh vonesash. Veliut, diploma iu verifikua, 6 vjet pas përfundimit të studimeve. Ai ka thënë se kjo është fitore gjysmake. Të plotë e konsideron vetëm fitoren kur ata që kanë shkaktuar problemin të marrin dënimin e merituar.
Në nëntor të vitit të shkuar, në emisionin “Java Sonte me Rronin” në KTV, Veliu pati treguar se pas përfundimit të studimeve të mjekësisë në një nga kolegjet private në Kosovë, në drejtimin e ergoterapisë, nuk kishte mundur të vazhdonte studimet jashtë vendit sepse libri amëz për gjeneratën kur ai kishte studiuar, nuk ekzistonte fare në Ministrinë e Arsimit. Sikur rasti i Veliut mund të jenë mbi 20 mijë studentë, patën bërë të ditur autoritetet atë kohë. Kryesisht bëhet fjalë për diploma të kolegjeve private që kishin tejkaluar numrin e studentëve përtej vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe nuk ishin regjistruar në librin amëz në Ministrinë e Arsimit. Studentëve u pamundësohej që të verifikonin diplomat e tyre e që të vazhdonin me studime të mëtejme jashtë vendit.
“Është një gjysmë fitore. Fitorja është e plotë, veç në momentin kur ata që kanë shkaktuar këtë problem e zvarritje marrin dënimin e merituar. Do të ishte mesazh që në të ardhmen të mos ketë probleme të ngjashme e të mos pësojnë njerëzit në të njëjtin fat si unë e shumë kolegë të mi. Koha është gjëja më e shtrenjtë që e kemi humbur”, ka thënë ai duke paralajmëruar edhe padi për dëmin e shkaktuar.
Valdrin Dervishaj, këshilltar i ministres së Arsimit, ka konfirmuar se ka raste për të cilat ka dyshime për keqpërdorime e që janë dërguar në organet e drejtësisë. Sipas tij, problemi ka qenë i trashëguar prej vitit 2012. Ai ka thënë se problemi deri tash nuk është zgjidhur sepse “ka munguar vullneti politik”.
Kumrije Gagica nga qendra NARIC, për njohje diplomash të gradave universitare dhe shkollave të larta profesionale, problemi kryesor është mungesa e stafit. Ajo ka thënë se aktualisht për arsim të lartë e një për arsim parauniversitar janë nga një punonjës. Të gjithë të tjerët janë zyrtarë me shërbime të veçanta përmes prokurimit, ka bërë të ditur ajo.
-
Studentë të Mjekësisë vrapojnë pas profesorëve për të kompletuar dosjet
-
Verifikohen mbi 15 mijë diploma problematike
-
Studentit me diplomë jovalide i premtohet zgjidhje nga MASHTI
-
Studenti i kolegjit privat tregon si doli i mashtruar pa diplomë valide
-
Arrestohet një person, dyshohet se lëshoi diploma të aftësimit profesional pa u zhvilluar trajnimet