Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Verifikohen mbi 15 mijë diploma problematike

Mbi 15 mijë studentëve, që kishin problem me verifikim të diplomave, u është bërë zgjidhja, ka thënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të premten.

Në fund të vitit të shkuar u sqarua se shifra e atyre që kanë diplomuar e që s’kanë pasur diploma të vlefshme, mund të jetë mbi 20 mijë. Bëhej fjalë për diploma të kolegjeve private që kishin tejkaluar numrin e studentëve përtej vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe nuk ishin regjistruar në librin amëz në Ministrinë e Arsimit. Studentëve u pamundësohej që të verifikonin diplomat e tyre e që të vazhdonin me studime të mëtejme jashtë vendit.

MASHTI pati formuar një komision për t’i trajtuar rastet. Sipas Nagavcit, deri tashmë është bërë zgjidhje për 15 mijë e 468 raste. “Tashmë këta studentë mund t’i përdorin diplomat dhe të vazhdojnë me planet e tyre për të ardhmen”, ka shkruar ajo në Facebook.

“Edhe një problem shumëvjeçar drejt zgjidhjes – kemi trajtuar me sukses deri më tani problemin e verifikimit të diplomave për 15.468 studentë. Dhjetëra mijëra studentë të Kosovës që kanë përfunduar studimet në arsimin e lartë, për një kohë të gjatë nuk kanë mundur t’i verifikojnë diplomat e tyre dhe si rrjedhojë nuk kanë mundur t’i përdorin ato për shkollim apo punësim jashtë vendit. Kjo për shkak të problemeve të krijuara me librat amëz, si pasojë e rënies pre e mashtrimeve, apo edhe e neglizhencës dhe gabimeve të zyrtarëve të caktuar. Me qëllim të gjetjes së zgjidhjes, kam formuar një komision për të trajtuar këto raste. Përfundimisht, pas kaq shumë vitesh, Komisioni deri më tash ka bërë zgjidhje për 15.468 raste dhe tashmë këta studentë mund t’i përdorin diplomat dhe të vazhdojnë me planet e tyre për të ardhmen”, ka shkruar ajo.

Nagavci ka thënë se komisioni do të vazhdojë punën, ndërsa ka bërë të ditur po ashtu se ka raste që janë adresuar edhe në organet e drejtësisë, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në këtë proces.