Ismet Krasniqi, student i nivelit master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, ka vlerësuar se ndihma prej 100-eurosh e ndarë nga Qeveria në detyrë për studentët është e mirëseardhur, por jo zgjidhje afatgjatë për problemet që i përballon arsimi në vend.
“Për ne si studentë, secila ndihmesë në parim është e mirëseardhur. Me këto 100 euro thjesht mund ta shtymë muajin. Janë të mira për ta kaluar muajin, por nuk e shoh si zgjidhje të ndonjë problemi afatgjatë”, ka deklaruar Krasniqi në emisionin “SOT” të KTV-së.
Ai ka shtuar se me 26 milionë euro, sa është kostoja totale e ndarë për mbështetjen e studentëve, Qeveria do të mund të kishte investuar në përmirësimin e kushteve në Universitetin e Prishtinës.
“Me këtë shumë ose me një kosto jashtëzakonisht të ulët do të kishim mundësi të rinovonim ndonjë fakultet në UP apo të digjitalizonim Bibliotekën. Kështu do t’u krijonim qasje studentëve që nuk kanë mundësi t’i blejnë librat. Me këtë kosto do të mund të zgjidhnim shumë probleme të universitetit sesa t’u jepen studentëve ndihma që zgjat vetëm një muaj”, ka theksuar ai.
Krasniqi ka kritikuar gjithashtu mënyrën e ndarjes së shumës, duke e cilësuar si të padrejtë që të gjithë studentët marrin të njëjtën shumë, pavarësisht gjendjes ekonomike.
“Nuk e kam kuptuar logjikën se Qeveria po do barazi me ndarjen për secilin nga 100 euro. Nëse ia japim 100 euro një studenti milioner dhe një studenti që nuk ka kushte të favorshme ekonomike, nuk po bëjmë ndonjë barazi të madhe”, ka shtuar ai.
Në fund, ai ka vërejtur se ndarja e këtyre mjeteve disa ditë para zgjedhjeve lokale mund të shihet edhe si veprim i motivuar politikisht.
“Ndoshta një kritikë që mund t’i adresohet Qeverisë në detyrë është se i kanë ndarë pak ditë para zgjedhjeve lokale”, ka përfunduar Krasniqi.
Sipas vendimit të Qeverisë në detyrë më 7 tetor, 20 milionë euro janë ndarë për mbështetjen e studentëve bazuar në distancën mes vendbanimit dhe vendit të studimeve, ndërsa 6 milionë euro të tjera janë ndarë për një shtesë prej 100 eurosh për të gjithë studentët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.