Arbëri

Statusi i pazgjidhur i lë zjarrfikësit me staf të përgjysmuar dhe të vjetruar

Kanë vendosur disa kova për të pritur pikat e ujit që pikojnë brenda.

Megjithëse është rinovuar një herë nga Komuna e Prishtinës, çatia e objektit të zjarrfikësve vazhdon të jetë e dëmtuar dhe të sjellë probleme sa herë që bie shi.

Në lagështi dhe myk po rrezikojnë shëndetin ata që shpëtojnë jetë njerëzish.

“Prej kur kemi ardhur këtu, në maj të vitit 2013, kemi pasur probleme me tarracën edhe me objektin në përgjithësi, sepse ka pikur. Komuna ka investuar, por prapë nuk është bërë zgjidhja, ose nuk është bërë siç duhet”, tha Malë Gashi, ndihmës i komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve.

Ata nuk i kanë kushtet për të punuar as në terren.

Vetëm 5 kamionë nga 23, i plotësojnë kriteret për të funksionuar. 18 të tjerë janë të vjetruar, sipas udhëzimit administrativ që është nxjerrë në vitin 2019.

Përveç këtyre, problem më i madh për ta është numri i paktë i punëtorëve.

Për shkak të statusit të pazgjidhur sa i përket kompetencave menaxhuese, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave së bashku me Komunën e Prishtinë nuk po hapin konkurse për marrjen e punëtorëve të rinj.

“Dobësia më e madhe është për shkak të numrit të zjarrfikëseve, për ata që kanë dalë në pension dhe ata të cilët e kanë lëshuar punën për shkaqe private, nuk janë plotësuar. Minimumi janë 150 zjarrfikës operativë që duhet t’i ketë. 92 jemi staf komplet edhe me ata ditor dhe me staf operativ. Duhet të punësojmë edhe më shumë zjarrfikës. Mosha mesatare është 50-51 e duhet të jetë 30”, tha Gashi.

Deri në vitin e ardhshëm pritet të dalin në pension edhe disa punëtorë të tjerë, dhe zjarrfikësit po rrezikojnë të mbesin me staf të përgjysmuar.

“Të zgjidhet statusi ynë, duhet të pranohen zjarrfikës të rinj, ka shumë vjet që nuk është pranuar asnjë zjarrfikës i ri dhe mosha mesatare ka mbërri aty ku jemi tani. Ka 10 vjet që nuk po mund ta zgjidhim këtë problem”, tha Latif Zeka, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë vizitës për Ditën Botërore të Zjarrfikësve, ka thënë se do bëjnë çdo gjë që zjarrfikësit të jenë nën menaxhimin e kryeqytetit.

“Kemi aktivizuar idenë për të hapur edhe pika të tjera, në Hajvali dhe në Breg të Diellit, edhe në Arbëri, që të kemi një shërbim shumë më efikas për kryeqytetin. Është një proces për shpëtimin e jetëve, diçka që zjarrfikësit tanë kanë këtë punë në shumë raste dhe për këtë meritojnë të kenë trajtimin e duhur. Zjarrfikësit për momentin janë në mesin e dy zjarreve, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave e ka një pjesë dhe pjesën tjetër e ka edhe Komuna e Prishtinës. Ne do të bëjmë çdo gjë që zjarrfikësit të jenë nën menaxhimin e kryeqytetit, që të bëjmë më të mirë për qytetarët e kryeqytetit”, tha Rama.

Brenda vitit të kaluar zjarrfikësit kanë pasur 299 intervenime. Përveç Prishtinës, ata mbulojnë rastet edhe në tri komuna të tjera: Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Graçanicë.