Është shpërthyer në mënyrë të kontrolluar një predhë, e cila besohet se është hedhur 80 vjet më parë, gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore. Për ta kryer këtë veprim, KFOR-i dhe Policia e Kosovës kanë boshatisur paraprakisht fshatin Stagovë të Kaçanikut, ku ajo u gjet
Qetësia që zakonisht mbretëron në mëngjeset e fshatit Stagovë të Kaçanikut është ndërprerë të premten nga një alarm i pazakontë.
Me të, KFOR-i ka nisur njoftimin e banorëve për t’u evakuuar nga shtëpitë e tyre, duke lënë dyert dhe dritaret hapur – një masë kjo sigurie përballë rrezikut nga një mjet i pashpërthyer.
Rreth 500 metra nga vendbanimi, një predhë që dyshohet se ka mbetur nga koha e Luftës së Dytë Botërore, është zbuluar një javë më parë gjatë punimeve për ndërtimin e hekurudhës.
Qun Akim Lahaj, kryetari i fshatit, ka thënë se ky operacion ka shkaktuar shqetësim dhe panik në mesin e banorëve.
“Tash kanë qytetarët pak shqetësim se na kanë thënë që deri në 1000m vijë ajrore duhet me u largu. Dritaret e shtëpive me i mbajt hapur, veturat me i siguru, banorët me i largu. Pasi është KFOR-i pak më të sigurt jemi. Është KFOR-i, Policia jonë, ushtria jonë, e jemi më të sigurt. Por megjithatë është njëfarë paniku”, është shprehur Lahaj.
E banori Arian Teneqja, i cili jeton në lagjen Teneqja afër vendit ku është gjetur predha, ka treguar se boshatisja e fshatit ka nisur nga lagjja e tij.
“Është një bombë, e cila ka mbetur nga Lufta e Dytë Botërore, ka rënë nga aeroplani. Është një bombë e vjetër rreth 80 vjet. Banorët, sipas njoftimit, nga ora 9 janë larguar krejtësisht, askush nuk është në lagje dhe presim shpërthimin që të rikthehemi më shpejtë”, ka thënë Teneqja.
Bomba është shpërthyer në mënyrë të kontrolluar. Veprimi është bërë vetëm pasi që njësitë e KFOR-it janë siguruar që brenda rrezes prej 1000 metrash nuk ndodhej më asnjë person.
Gianluca Manfredelli, zëdhënësi në KFOR, ka thënë se personeli austriak i ekipit për asgjësimin e mjeteve eksplozive e ka studiuar dhe e ka vlerësuar vendin paraprakisht.
“Ky operacion, operacioni i kryer nga KFOR-i, sot ka për qëllim që të garantojë një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë popullsinë në Kosovë. Ky është mandati ynë dhe këtë do ta bëjmë deri në përfundimin e tij. Ekipi i EOD nga Austria ka punuar në mënyrë shumë profesionale. Ata kanë bërë shumë studime paraprakisht, vlerësuan dhe analizuan gjithë zonën dhe morën të gjitha masat e sigurisë për të qenë të sigurt”, ka thënë Manfredelli.
E, pasi që operacioni i shpërthimit ka përfunduar, zyrtarë policorë kanë konfirmuar se nuk ka pasur dëme në njerëz dhe as materiale.
Komandant i stacionit policor në Kaçanik, Emrush Lalinovci, ka thënë se qytetarët mund të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre.
“Në këtë zonë kemi pasur të bëjmë me një mjetë të pashpërthyer. Sot, KFOR-i e kreu me sukses eksplodimin e atij mjeti dhe sipas informacioneve që i kemi prej KFOR-it, qytetarët mund të kthehen në shtëpitë edhe vendbanimet e tyre. Rruga është me pengesa vende-vende dhe për vetura të vogla mund të jetë problem kalimi. Për momentin është gjithçka në rregull, nuk kemi informacione që ka pasur ndonjë dëm të çfarëdo lloj natyre”, është shprehur ai.
Predha e hedhur rreth 80 vjet më parë, është gjetur gjatë punimeve në ndërtimin e linjës hekurudhore Fushë-Kosovë-Hani i Elezit, e njohur si linja 10.
Gjendet mjet tjetër shpërthyes në Kaçanik, dyshohet se mbeti nga Lufta e Dytë Botërore
Një mjet tjetër shpërthyes, i cili dyshohet të ketë mbetur nga Lufta e Dytë Botërore, është gjetur në Kaçanik më 1 maj. Në raportin e Policisë thuhet se një person ka njoftuar se ka hasur në këtë mjet në pyllin e fshatit. Njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) e kanë bërë tërheqjen e mjetit.
“Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se kishte hasur në një mjet të pashpërthyer në pyllin e fshatit. Njësia policore ka bërë sigurimin e vendin të ngjarjes, ndërsa njësia për deminim e FSK-së ka bërë tërheqjen e mjetit, e cila dyshohet që është mbetur nga Lufta e Dytë Botërore”, thuhet në raportin e Policisë.
Në Policia kanë bërë të ditur se mjeti që është gjetur më herët në Stagovë është më i madh se ai që është gjetur të enjten.