Arbëri

“Infrakosi” thotë se do të ndjekë rekomandimin e MKRS-së për Stacionin e Trenit

Përkohësisht simboli i eksodit të shqiptarëve nuk do të jetë cak i shndërrimit në një lokal afarist, pas ndërhyrjeve për ndalim të punimeve nga Inspektorati i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike të Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës ka krijuar një komision verifikues që ka vlerësuar se pjesa e punimeve që është bërë nuk përkon me kontratën dhe se tutje do të veprojnë në përputhje me atë që thotë MKRS-ja

Mungesa e një strategjie konkrete e Ndërmarrjes Publike të Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës për t’i rivitalizuar shërbimet e komunikacionit me tren ka bërë që një ndër format kryesore prej nga siguron të hyrat të jetë lëshimi i objekteve me qira, qofshin ato edhe monumente. Ndonëse përmes pronave që posedon “Infrakosi” ka mundësitë të krijojë infrastrukturë më të mirë të shërbimeve e udhëtimit për qytetarët, megjithatë nga 900 hektarë me të cilët menaxhon, pjesën më të madhe të tyre i lëshon me qira.

Njësoj ka vepruar së fundmi me Stacionin e Trenit në Prishtinë, monument ky që bën pjesë në trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe njëjtë pritet të veprojë edhe me monumentin e Stacionit të Trenit në Pejë. Një pjesë e objektit të Stacionit të Trenit në Prishtinë, prej ku u dëbuan me dhunë qindra mijëra shqiptarë të Kosovës gjatë luftës së fundit, ka nisur përgatitjet që të kthehet në një restorant.

Pas raportimit të KOHËS se po bëhen punime në objekt, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Prishtinës i kishte ndërprerë punimet e kështu ka vepruar edhe Inspektorati i Ministrisë së Kulturës që ka vendosur shiritat dhe tabelat për ndalim të punimeve. Ky lokacion, që është në pronësi të “Infrakosit”, është lëshuar me qira për përfitim ekonomik, ndonëse “Infrakosi” nuk ka kërkuar leje për një gjë të tillë nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, pavarësisht se një gjë të tillë e thotë edhe ligji. Leje, sipas QRTKP-së, për modifikim të objektit e ndërrim të destinimit nuk ka kërkuar nga ta as qiramarrësi.

“Përdorimi me qëllim përfitimi ekonomik dhe kulturor i trashëgimisë arkitekturale autorizohet me leje të shkruar nga institucioni kompetent, në rastet ku vlerat e trashëgimisë arkitekturale janë të mbrojtura”, thuhet mes tjerash në nenin gjashtë për trashëgimi arkitekturale të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore.

Për lëshimin me qira të Stacionit në Prishtinë, që është simbol i eksodit të shqiptarëve, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të “Infrakosit”, Zymër Zekaj, thotë se nuk kanë marrë leje nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve dhe se as nuk janë penguar ndonjëherë nga ta, edhe pse ky objekt është lëshuar edhe më parë me qira.

“Ne nuk kemi qenë të njoftuar se duhet të kërkohet pëlqimi nga institucionet për trashëgimi kulturore, të cilën ne nuk e kemi bërë dhe që me të drejtë pas asaj që keni xhiruar dhe keni informuar publikun është ndalur puna dhe me siguri do të veprohet sipas kërkesave të institucioneve që e kanë shpallur trashëgimi kulturore”, ka thënë Zekaj.

Ai ka shtuar se me rastin në Pejë do të kenë kujdes që t’i respektojnë procedurat e lejes para se të lëshohet me qira.

Pas Ministrisë së Kulturës që ndërpreu punimet, “Infrakosi” ka dërguar edhe një komision për verifikim të punimeve ku, mes tjerash, ka gjetur që ndërhyrja në pjesën nga qyteti nuk ka qenë në kontratë.

“1.Gjendja e objektit të dhënë me qira në brendësi nuk ka ndryshuar përveçse është rrënuar një mur, i cili i ka shërbyer si shank për shfrytëzuesit e mëhershëm të objektit. 2. Muri në fjalë nuk është mbajtës dhe nuk parqet problem për strukturën e objektit. 3. Dyert dhe dritaret e këtij objekti janë demoluar dhe larguar nga ish-shfrytëzuesi i mëhershëm. 4. Ndërhyrja në pjesën nga qyteti nuk është në kontratë dhe si e tillë nuk është e lejuar”, thuhet mes tjerash në katër pika të raportit.

Qeveria e Kosovës të mërkurën ndau 5 milionë euro nga buxheti i shtetit, një pjesë e të cilave do t’i dedikohet ruajtjes së trashëgimisë kulturore, por nuk është përgjigjur në pyetjen e KOHËS nëse ka në plan që ta mbrojë këtë monument duke e kthyer në muze.

Për një gjë të tillë kryeshefi Zymer Zekaj thotë se kanë pasur vetëm një propozim deklarativ nga ish-kryeparlamentari, porse nuk kanë pranuar asnjë vendim zyrtar as nga ai e as nga Qeveria e Kosovës për vënien e Stacionit në dispozicion të një muzeu.

“Ne nuk kemi asnjë vendim e asnjë shkresë që objekti i Stacionit Hekurudhor në Prishtinë të kthehet në muze”, ka thënë ai.

Për krijimin e një strategjie që shtyn “Infrakosin” të merret vetëm me zhvillimin e shërbimeve për komunikacionin hekurudhor dhe jo edhe me menaxhimin e qirave, nga Ministria e Ekonomisë nuk kanë kthyer përgjigje.