Arbëri

Ndalen punimet në objektin e Stacionit të Trenit në Prishtinë

Një ditë pasi ka raportuar KOHA, dhe tri ditë prej se kanë nisur punimet për hapjen e një restoranti në Stacionin e Trenit në Prishtinë, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore i ka ndërprerë ato. Kjo pasi nuk është marrë leje për ndërhyrje në këtë objekt, që është nën mbrojtje si monument i shekullit XX. Ndonëse u pati paralajmëruar shndërrimi i tij në muze të eksodit të shqiptarëve gjatë luftës së fundit, Qeveria nuk i ka drejtuar një kërkesë të tillë “Infrakosit” e as nuk ka reaguar gjatë së hënës për këtë çështje

Punimet treditore që po zhvillohen në objektin e Stacionit të Trenit në Prishtinë, që gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, janë ndalur të hënën. Vendi që simbolizon eksodin e shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, pritet që së shpejti të kthehet në restorant. Mirëpo, vrullin e punës për transformimin e Stacionit të Trenit në Prishtinë në lokal afarist e ndërpreu një ekip i zyrtarëve të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Prishtinës, të cilët një ditë pas raportimit KOHËS kanë vizituar stacionin.

Edona Gashi, drejtoreshë e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prishtinë, thotë se pas vizitës kanë ndalur punimet meqë qiramarrësi nuk ka kërkuar leje për ndërhyrjet në këtë monument dhe shndërrimin e tij në restorant.

“Zyrtarë nga Qendra sot kanë realizuar vizitë në terren, ku kanë takuar punëkryerësin dhe shfrytëzuesin e njërës pjesë të ndërtesës, të cilët para zyrtarëve të Qendrës nuk kanë prezantuar asnjë dokument me të cilin u lejohet ndërhyrja në ndërtesë, të njëjtit janë udhëzuar t’i ndërpresin punimet dhe të fillojnë procedurat për t’u pajisur me leje nga institucionet kompetente”, ka thënë Gashi.

Gashi ka njoftuar se raporti i nxjerrë nga inspektimi i Qendrës i është përcjellë Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, me të cilët do të ketë koordinim për veprimet e mëtutjeshme.

Këtë objekt e ka dhënë me qira Ndërmarrja Publike e Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës – “Infrakos”.

Në një përgjigje për KOHËN, drejtori ekzekutiv, Zymer Zekaj, ka theksuar se nuk kanë marrë leje nga Instituti i Kosovës për mbrojtjen e monumenteve për ta dhënë me qira këtë pjesë të objektit, porse për të gjitha procedurat e lëshimit me qira, informacionet për redaksinë do t’i vendosin në dispozicion gjatë ditës së martë.

Ndonëse nuk ka kthyer përgjigje lidhur me këtë çështje, Qeveria e Kosovës nuk i ka bërë ndonjëherë kërkesë “Infrakosit” që objektin e Stacionit të Trenit në Prishtinë ta vërë në dispozicion të një muzeu. Kjo pavarësisht faktit që Qeveria Kurti ka përmendur vazhdimisht si prioritet të vetin, kultivimin e kujtesës kolektive dhe dokumentimin e krimeve të luftës.

Stacioni i Trenit në Prishtinë, prej ku u bë dëbimi me dhunë i qindra e mijëra shqiptarëve gjatë luftës ishte lëshuar edhe më parë me qira. Dhe, pavarësisht kushteve që pas shfrytëzimit të kthehet siç ka qenë, qiramarrësi paraprak ka lënë atë gjendje të mjerueshme dhe sipas informatave nga burime të KOHËS, ai ka lënë edhe borxh të papaguar të energjisë elektrike.

Idenë e vënies së objektit të Stacionit të Trenit në Prishtinë në shërbim të kujtesës kolektive e pati promovuar para dy vjetësh ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili edhe e pati vizituar atë dhe pati paralajmëruar shndërrimin e tij në muze të eksodit.