Në Stacionin e Trenave në Prishtinë kanë nisur punimet ditën e shtunë për ta hapur aty një restorant, edhe pse paralajmërimet kanë qenë që ky objekt i vjetër do të shndërrohet në muze të eksodit.
Kjo pasi Ndërmarrja Publike e Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës, Infrakos, e ka lëshuar atë me qira, ndërkohë që institucionet e Kosovës nuk e kanë realizuar idenë që këtë lokacion ta shfrytëzojnë për qëllim të ruajtjes në kujtesë të fakteve e përjetimeve të dëbimit masiv gjatë luftës.
Prej marsit të vitit 1999, për dy muaj rresht, me qindra-mijëra njerëz të dëbuar nga shtëpitë e veta gjithandej Kosovës janë deportuar nga ky vend për në Maqedoni me tren.
Në majin e 2019-s, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili sot mbahet në burgun e Hagës nën akuzat për krime lufte, kishte rekomanduar që Stacionin e Trenave të Prishtinës ta shndërronte në muze, që do t’i shërbente kujtesës kolektive.
“Kjo është fusha e dhembjes së Prishtinës, ky është monument në vete, ku gjysma e Prishtinës janë deportuar e nuk e kanë ditur fatin e tyre. Ky monument duhet të zyrtarizohet. Më vjen keq që nuk ka ndodhur, po s’e ka çare pa ndodhur. Ky do të jetë muzeu i dhembjes së Kosovës, muzeu i dhembjes së Prishtinës dhe pjesa te Tjegullorja atje ku do ta ndërtojmë. Nuk duhet të jemi popull hakmarrës, por ta dokumentojmë dhimbjen që e kemi kaluar”, pati thënë Veseli më 2019, gjatë një vizite bërë stacionit.
Gjatë së dielës, KOHA ka provuar të marrë përgjigje nga Infrakosi për lëshimin me qira të objektit, për kohëzgjatjen dhe vlerën e kontratës, por kjo ndërmarrje publike nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërkohë, disa punëtorë të Stacionit të Trenave, të cilët nuk kanë pasur leje të flasin zyrtarisht, e kanë konfirmuar që objekti tashmë është dhënë me qira dhe që punimet aty kanë nisur të shtunën dhe destinimi është një restorant për ushqim të shpejtë.
Nuk është Stacioni i Trenit në Prishtinë i vetmi vend i përjetimit të krimeve të luftës në Kosovë, e që shteti i ri nuk e ka shfrytëzuar për t’i mbajtur ato të gjalla në kujtesë.