Lot e histori trishtimi të 23 vjetëve më parë bartin më vete binarët e këtij stacioni.
Është ky Stacioni i Trenit në Prishtinë, i cili së bashku me atë të Fushë- Kosovës u kthyen në qendra të grumbullimit të qytetarëve kosovarë që po dëboheshin nga shtëpitë e tyre më 1999.
Këtë periudhë me dhimbje e kujton Hamit Bajraktari, i cili kishte hipur në stacionin e fshatit Miradi, në trenin e nisur nga Prishtina.
80-vjeçari tregon tmerrin që kishte përjetuar kur ishte detyruar ta braktiste vendlindjen.
“Fëmija mu flugën, don me na mbyt me dorën tënde, prandaj me ia kthye shpinën shtëpisë nuk kishte ma rëndë. Vdekja është normale kur vjen. Ama krejt me i lënë e me shku. Deri në Miradi na ka pru autobusi. Tani aty ish kon një vagon e hapën policët edhe e mbushnin si thasët në mulli që i bëjnë një mbi një deri nuk zinte më. Me dy lokomotiva. Tani na kanë dërguar në Han të Elezit në kufi, tani na kanë dërguar në Stankovec”, tha Bajraktari.
Punonjësi i vjetër i hekurudhave, Sabit Thaçi, thotë se pjesë të trenit që ka bartur popullatën shqiptare në atë kohë duhet të ruhen si muze edhe në Stacionin e Prishtinës.
“Aty ka qenë një tmerr, në Stacionin e Prishtinës tani tregojnë dëshmitarët se nuk e kishin idenë se ku do t’i dërgonin, sepse kishin frikë se mos po i dërgonin për në Serbi. S’flasim që kupeja ishte për 6 udhëtarë e aty ishin 16-20 dhe po ashtu edhe ju kërkonin lekë. I dërgonin në Han të Elezit e pastaj aty në kufi dilnin në Bllacë. Ata trena i kemi ende, por janë jashtë përdorimit. Treni muze që është vendosur në Bllacë, ka hapësirë që të vendoset ndonjë vagon edhe në Stacionin e Prishtinës”, tha Thaçi.
Në këndvështrimin e historisë, kjo ngjarje riktheu në sferën publike evropiane pamje të ngjashme me ato të deportimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Historiani Durim Abdullahu thotë se ky stacion dhe hekurudhat e Kosovës përveç njerëzve kanë bartur edhe kujtime që nga themelimi i tyre.
“Pas Luftës së Dytë Botërore u risistemuan linjat hekurudhore në Kosovë. Ishin linjat e transportit civil dhe ato të transportit të mallrave. Pothuajse të gjitha qytetet e Kosovës ishin të lidhura dhe gjatë periudhës së Jugosllavisë, linjat hekurudhore janë binarët jo vetëm që kanë bartur njerëzit, por kanë bartur edhe kujtime të njerëzve, veçanërisht shumë nga gjeneratat e vjetra tregojnë kohën kur kanë shkuar të kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak gjithandej bazave ushtarake në Jugosllavi dhe janë kthyer gjatë pushimit dhe kur kanë përfunduar shërbimin ushtarak. Linja më e famshme e periudhës së Jugosllavisë, ku një linjë e trenit nga Selaniku ka shkuar në Munchen. Shumë shqiptarë kanë shfrytëzuar pasaportat jugosllave për të bërë këtë udhëtim”, thotë Abdullahu.
Me ndërtimin e këtij stacioni, Prishtina u faktorizua shumë, duke u bërë kryeqytet i vilajetit të Kosovës.
“Hekurudha ka përcaktuar shumë historinë e Krahinës së Kosovës në shekullin 19. Kjo hekurudhë e detyroi administratën osmane që ta ridimensionojë Vilajetin e Prizrenit, i cili kishte kryeqendrën në Prizren. Në këtë mënyrë Vilajeti i Prizrenit u shua dhe u ngrit Vilajeti i Kosovës, por tani me qendër në Prishtinë, pikërisht për shkak të hekurudhës. Le të themi se Prizreni pësoi për shkak të kësaj periudhe pasi humbi peshën dhe rëndësinë e vet dhe Prishtina fitoi peshën që kishte Prizreni. Prishtina u bë kryeqytet i Vilajetit të Kosovës pastaj u zëvendësua me Shkupin, për t’u rikthyer në Prishtinë. Në anën tjetër, ashtu siç e defaktorizoi hekurudha Prizrenin dhe në anën tjetër e faktorizoi Prishtinën, kjo hekurudhë u bë shkaktar për lindjen e një qyteti të ri, siç është Ferizaj”, thotë historiani Abdullahu.
Përkundër kësaj rëndësie, Stacioni i Trenit në Prishtinë është në gjendje të rëndë dhe ka nevojë për rinovim.
Mungesa e sigurisë për udhëtarët dominion në objektin që i mungojnë investimet.
Kompania “Infrakos” e cila merret me menaxhimin e hekurudhave thotë se nuk kanë të drejtë ndërhyrjeje në këtë stacion, pasi është nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore.
Megjithatë, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Zymer Zekaj, tregon për gjendjen e rëndë financiare në të cilën gjenden ata.
Për momentin linja Prishtinë-Pejë është e vetmja që operon në Kosovë. Zekaj thotë se janë duke punuar për zgjerimin e linjave hekurudhore, edhe ato me vendet fqinje.
Kosova është përfshirë relativisht herët në një sistem hekurudhor, kur Perandoria Osmane ndërtoi linjën e parë që lidhte Selanikun me Nishin. Në këtë linjë hekurudhore përfshihej edhe ajo që sot është Kosova, meqë hekurudha kalonte nëpër Shkup, Han të Elezit, Ferizaj, Prishtinë, Mitrovicë dhe lidhej drejt Nishit. Ndërsa Stacioni Hekurudhor i Prishtinës u ndërtua në vitin 1936.