Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Specialja refuzon lirimin e Nasim Haradinajt

Nasim Haradinaj

Gjykata Speciale ka refuzuar të lirojë ish-sekretarin e OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Sipas një njoftimi të Speciales kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, më 12 tetor ka vendosur të shqyrtojë modifikimin e vendimit të Nasim Haradinajn, për lirimin e tij me disa kushte, pasi të marrë raport prej administratores Fidelma Donlon në lidhje me sjelljen e Haradinajt gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së.

Në njoftim thuhet se Trtendafilova ka vlerësuar se megjithëse “Haradinaj ka ndërmarrë disa hapa drejt rehabilitimit, ka ende vend për përmirësim”.

“Kryetarja mori parasysh se megjithëse veprat penale për të cilat z. Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që mund të peshojnë në favor të modifikimit të dënimit të tij. Kryetarja gjithashtu vuri në dukje shprehjet e keqardhjes prej z. Haradinaj gjatë seancës gojore dhe zotimit të tij për moskryerjen e veprimeve të tjera që mund të karakterizohen si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Sidoqoftë kryetarja theksoi se z. Haradinaj ka precedentë disiplinorë në Njësinë e Paraburgimit (NJP). Rrjedhimisht Kryetarja gjykoi se megjithëse z. Haradinaj ka ndërmarrë disa hapa drejt rehabilitimit, ka ende vend për përmirësim”, thuhet në njoftim.

Për këtë arsye thuhet se kryetarja ka urdhëruar administratoren që të paraqesë raport në lidhje me sjelljen e Haradinajt në të ardhmen brenda një periudhe të caktuar në kontekst të vendimit mbi modifikimin e dënimit të tij.

Haradinaj ishte dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim më 18 maj të vitit 2022.

Me 4 vjet e gjysmë burgim ishte dënuar edhe ish-drejtuesi tjerët i OVL-UÇK-së Hysni Gucati, për të cilin Specialja të martën ka njoftuar se është liruar me disa kushte.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Ata u shpallën të pafajshëm për veprën e hakmarrjes.

Artikuj të ngjashëm