Trupi gjykues në çështjen ndaj ish-eprorëve të UÇK-së e ka caktuar 14 nëntorin e këtij viti si datë të synuar për përfundimin e paraqitjes së provave nga ekipet mbrojtëse. Në njoftimin e gjykatës, më 2 shtator, thuhet se trupi gjykues i ka informuar palët që të përgatiten për të dorëzuar dosjet e tyre përfundimtare deri më 22 dhjetor 2025.
“Vendimi përcakton gjithashtu afatet shtesë dhe udhëzimet procedurale për pjesën tjetër të çështjes së Mbrojtjes”.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në një proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ata akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe krime kundër njerëzit. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta.
Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill 2023.
Prokuroria e ka mbyllur çështjen e saj në prill të këtij viti ndërkohë, më 15 shtator do të nisë paraqitja e provave nga ekipet mbrojtëse.
“Trupi Gjykues caktoi 14 nëntorin 2025 si datën e synuar për përfundimin e paraqitjes së provave prej ekipeve Mbrojtëse të Thaçit dhe Krasniqit, ose një javë pas dëshmitarit të fundit të Mbrojtjes, cilado që ndodh e para. Trupi Gjykues gjithashtu i informoi të gjitha palët që të përgatiten për të dorëzuar dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare, si dhe deklaratën lidhur me ndikimin e krimeve të pretenduara në viktimat pjesëmarrëse në procedurat gjyqësore, para fillimit të pushimit dimëror të gjykatës më 22 dhjetor 2025”, thuhet në njoftimin e gjykatës, të publikuar më 2 shtator.