Gjykata Speciale ka nxjerrë vendim për pranimin e dëshmive të tre dëshmitarëve të vdekur të cilët patën dëshmuar për krime lufte në Kleçkë të Malishevës. Në vendim përfshihen dëshmitë e dëshmitarëve, përfshirë atë të Agim Zogajt që njihej si dëshmitari “X” e ato mund të merren parasysh në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së
Rasti “Kleçka” është përmbyllur një dekadë më parë me lirimin e 11 ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga EULEX-i, të akuzuar për krime lufte.
Megjithatë, dëshmitë e dëshmitarëve të këtij rasti, përfshirë atë të Agim Zogajt, që njihej si dëshmitari “X”, mund të merren parasysh nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Gjykata Speciale më 15 dhjetor të vitit të kaluar përmes një vendimi vendosi ta pranojë dëshminë e tre dëshmitarëve të vdekur, të cilit patën dhënë dëshmi për ndalim në Kleçkë.
“Sa u përket aspekteve të dëshmisë së dëshmitarit me numër 04839, trupi gjykues konstaton si në vijim: së pari, derisa 04839 është i vetmi që e përmend emrin e z. Thaçi sa i përket marrjes në pyetje, vetë 04828 (v.j Vladimir Dobriçiq) dhe 03880 (v.j Nebojsha Radosheviq) kanë dhënë prova lidhur me ata që i kanë marrë në pyetje, duke përfshirë edhe karakteristikat e pamjes fizike dhe karakteristikat e tjera”, thuhet në vendimin e Specales.
Burime të KOHËS kanë thënë se ndër provat e pranuara janë edhe fletorja e njërit prej dëshmitarëve të vdekur, i njohur si ditari i Agim Zogajt.
Trupi gjykues në vendimin për këta dëshmitarë ka shkruar, po ashtu, se nuk varet prej vendimeve paraprake të gjykatave, si përgjigje ndaj vërejtjeve të mbrojtjes se rasti “Kleçka” është i përfunduar.
Për ish-punonjësin e Tanjugut, Vladimir Dobriçiq, Gjykata konstatoi se ka dëshmi se mund t’i marrë parasysh, por se vlera e dëshmive të tij do të ulet nëse konstatohet se ai ka marrë pjesë në luftërat në Bosnjë e Kroaci.
Gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Ramadan Selimit, pritet të vazhdojë në javën e tretë të janarit.