Arbëri

Sot në Hagë nis dëshminë ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark

Wesley Clark

Ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, Wesley Clark, do të nisë dëshminë sot në Hagë në çështjen e Speciales kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. 

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se Clark ishte paraparë të niste dëshminë të martën, por do të fillojë atë sot nga ora 12:00. 

Clark është dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja. 

“Pas dëshmisë së tij, të mërkurën, më 19 nëntor, është planifikuar të mbahyet një konferencë për ecurinë e çështjes. Seanca që fillimisht ishte caktuar të mbahej të premten, 12 nëntor, është anuluar”, thuhet nga Dhomat e Specializuara. 

Deri më tash kanë dëshmuar gjashtë dëshmitarë të ftuar nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi. I fundit ishte Michael Durkee, ish-këshilltar i komandantit të atëhershëm të NATO-s për Evropë, Wesley Clark. 

Para tij dëshmoi diplomati amerikan Christopher Hill.  Kishte dëshmuar edhe ish-ndihmëssekretari amerikan, James Rubin.

E të dielën Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka organizuar një protestë në Strasburg para Këshillit të Evropës. Ishte protesta e katërt, pas asaj në Prishtinë, Hagë e Tiranë. 

“UÇK-ja nuk njolloset, ajo ka qenë organizatë çlirimtare, e cila e çliroi Kosovën nga hordhitë serbo-çetnike dhe ne sot kemi ardhur këtu para këtij Parlamenti t’i themi stop padrejtësisë, e cila po bëhet në Hagë. Haga ka devijuar nga shtrati i vet, duke marrë dëshmitarë të fabrikuar që i dërgon të dëshmojnë kundër krerëve të UÇK-së. Në atë gjykatë nuk dënohen vetëm krerët, por i gjithë kombi shqiptar”, tha kreu i OVL-UÇK-së Gucati.

OVL-UÇK, ka njoftuar se gjatë kësaj proteste u dorëzuan edhe 285 letra në emër të secilit anëtar të Asamblesë së Këshillit të Evropës.

“Protesta e radhës kundër padrejtësisë u mbajt sot në Strasburg të Francës. Gjatë kësaj proteste, u dorëzuan edhe 285 letra në emër të secilit anëtar të Asamblesë së Këshillit të Evropës, me shqetësimet tona lidhur me procesin në Gjykatën Speciale. OVL UÇK vazhdon angazhimin e saj për drejtësi dhe respektim të të drejtave të luftëtarëve të lirisë”, thuhet në njoftimin e OVL UÇK-së në Facebook për protestën në Strastburg, në Francë.

Më 5 nëntor janë bërë pesë vjet prej arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK),  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhen me gjashtë akuza për krime lufte, si: Përndjekje (Pika 1), burgosje (Pika 2), akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), torturë (Pika 6), vrasje e paligjshme (Pika 8), zhdukje me dhunë (Pika 10) si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), trajtim mizor (Pika 5), torturë (Pika 7) dhe vrasje e paligjshme (Pika 9).

Shumica e viktimave të krimeve sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në shtab të përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.

Ish-drejtuesit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim të luftonte Serbinë e jo civilët.