Sot ka filluar fushata zgjedhore në Podujevë, ndërsa kandidati për kryetar të kësaj komune nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi uroi që fushata të jetë e fokusuar në program, ku para qytetarëve të tre kandidatët të paraqesin orientimin politik e programor.
Bulliqi tha se qytetarët kanë pakënaqësi të mëdha dhe se komuna e Podujevës ka nevojë për ndryshime të mëdha që e ndërrojnë rrënjësisht jetën e tyre.
“Sot, zotohem para juve se si kryetar komune do të angazhohem me maksimumin e kapacitetit tim intelektual, politik e moral që bashkë me njerëzit më të dijshëm e të ndershëm të komunës tonë të punojmë shumë për shërbime më të mira për qytetarët: për arsim më cilësor, për shëndetësi funksionale, për ekonomi e bujqësi të zhvilluar, për sport e kulturë që zhvillon talentin e përmirëson kushtet. Na priftë e mbara!”, shkroi Bulliqi në Facebook.
Sot në orën 18:00 në restorantin "Iliria de Luxe", Lëvizja Vetëvendosje e hap fushatën zgjedhore ku paraqesin programin 18 mujor për këtë mandat, ku i pranishëm do të jetë dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.