Kryesuesi i legjislaturës së 11-së, Avni Dehari, ka vendosur që seanca konstituive t’i vazhdojë punimet të shtunën (sot), nga ora 11. Kjo ka nxitur reagime të një numri deputetësh të rinj, por edhe të monitoruesve të punës së Kuvendit e të juristëve, që vlerësuan se përbën shkelje moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor nga certifikimi i rezultatit, e që përfundoi me t’u kryer e premtja
Hamza: Kurti adresa nëse shkojmë në zgjedhje, s’i përjashtojmë protestat
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se nëse Kosova shkon në zgjedhje të reja, përgjegjësia për këtë do t’u takojë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe partisë së tij. Ka shtuar se nuk përjashtohet organizimi i protestave.
Hamza ka thënë se deputetët e PDK-së kanë qëndruar në objektin e Kuvendit deri në orët e vota, të gatshëm për të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive, por ka kritikuar faktin që salla e Kuvendit ka qenë e mbyllur.
“Deputetët e PDK-së jemi deri në këtë kohë në objektin e Kuvendit, që fatkeqësisht edhe në këtë aspekt administrata e Kuvendit i ka të mbyllura dyert e sallës. Jemi këtu për të treguar gatishmërinë për pjesëmarrjen në seancën konstituive”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka akuzuar pushtetin për mosrespektim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe shkelje të Kushtetutës, pasi Kuvendi nuk u konstituta brenda afatit kushtetues.
“Kemi të bëjmë me mosrespekt të aktgjykimit të Kushtetueses, që është shumë preciz. Është shkelje e Kushtetutës, është mosrespektim i aktit, është cenim i demokracisë, është marrje në dorë e institucioneve në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore”, ka thënë ai.
Hamza ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk janë pronë e asnjë partie politike, duke shtuar se PDK-ja do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe demokratike për, siç tha, mbrojtjen e kushtetutshmërisë.
“Nuk është Republika e Kosovës pronë e asnjë partie. Shteti qeveriset me rregulla, me ligje. Do t’i bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, demokratike në mbrojtje të kushtetutshmërisë së vendit”, u shpreh Hamza.
Sipas tij, komunikimet e fundit nga Kurti nuk tregojnë gatishmëri serioze për zgjidhjen e situatës, por synojnë blerjen e kohës dhe bartjen e përgjegjësisë te partitë e tjera.
“Fare, fare s’ka seriozitet nga Kurti. Janë për të blerë kohë dhe për t’ia faturuar fajin dikujt tjetër pse po shkojmë në zgjedhje. Nëse vendi shkon në zgjedhje, adresa është Albin Kurti dhe Vetëvendosje. Po hyjmë në një fushë të panjohur”, ka deklaruar kryetari i PDK-së.
Sa i përket pjesëmarrjes në seancën e nesërme, Hamza ka thënë se PDK-ja do ta trajtojë situatën gjatë ditës së nesërme.
“Nuk jemi faktor të bllokimit të formimit të institucioneve”, ka përfunduar Hamza.
Dështon konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30 ditësh
Kryesuesi i legjislaturës së 11-të, Avni Dehari, ka njoftuar deputetët e rinj se vazhdimi i seancës konstituive do të realizohet të shtunën nga ora 11.
Kësisoj, punimet do të zhvillohen përtej afatit të definuar nga Gjykata Kushtetuese, sipas së cilës konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve. E 30-ditëshi u përmbyll, me të përfunduar e premtja.
Vendimi është interpretuar si kundërkushtetues nga deputetë të partive opozitare e akterë të shoqërisë civile. Kushtetuesja, e cila e ka definuar këtë afat, nuk ka përshkruar ndonjë pasojë për deputetët apo legjislaturën, në rastin kur nuk mbërrin të konstituohet brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.
Deputetë të partive deri tash opozitare, Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe të Aleancës të premten që nga njoftimi i Kuvendit për seancë të shtunën, kanë bërë thirrje të vazhdueshme që Kuvendi të konstituohej më 7 gusht.
Ndërkaq monitoruesi i punës së Kuvendit, Eugen Cakolli, ka theksuar se caktimi i vazhdimit të seancës konstituive për të shtunën, përbën shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues. Sipas tij, deputetët duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Ky vendim dhe e gjithë kjo sjellje përbëjnë shkelje procedurale, shkelje kushtetuese dhe moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, menjëherë pas mesnatës, së paku dhjetë deputetë duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, ta kontestojnë vendimin për caktimin e seancës pas afatit dhe mosveprimet e 6 dhe 7 gushtit, si dhe të kërkojnë masë të përkohshme për pezullimin e seancës së nesërme para orës 11:00”, ka kërkuar Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në KDI.
Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka cilësuar shkelje serioze kushtetuese çështjen e caktimit të seancës për të shtunën, përtej afatit kushtetues. IKD-ja tek ka vlerësuar se po bëhen disa shkelje kushtetuese me lëvizjet e fundit politike, ka kërkuar konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit, përfundimin e ushtrimit të pozitave ministrore nga deputetët dhe respektimin e kufijve kushtetues të ushtrimit të detyrës së presidentes.
Mospërmbyllja e seancës gjatë ditës, sipas ligjëruesit të së Drejtës Kushtetuese, Ditar Kabashi, përbën anashkalim të Kushtetutës.
“Nëse deri në mesnatë nuk konstituohet Kuvendi atëherë do të anashkalohet teksti i Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Do të shkohet në një procedurë metakushtetuese, pra tej kushtetuese”, ka thënë Kabashi gjatë të premtes në KTV.
Sipas tij, shkelja e afatit nuk prodhon pasoja kushtetuese për legjislaturën e re apo për deputetët e rinj.
“Meqë juridikisht nuk ka ndonjë sanksionim mbetet në vullnetin politik, dhe vullneti politik duhet të manifestohet përmes thirrjes së serishme të seancës”, ka thënë ai.
Seanca nisi punimet të enjten, por u ndërpre me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes vetëvendosje, Albin Kurti, i cili shtroi nevojën për më shumë kohë për negociata mes partive politike, me qëllimin për të arritur një marrëveshje për presidentin. Por, sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, çështja e presidentit nuk mund të përdoret si justifikim për të pezulluar ose shtyrë përmbushjen e një obligimi kushtetues.
E të premten, Kurti pati edhe një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka thënë se kanë dallime drastike mes kërkesave të LDK-së dhe rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit. E Abdixhiku ka thënë se oferta e VV-së është e papranueshme dhe e padinjitetshme.
LDK-ja ka 18 deputetë, ndërsa për kandidaturë kërkohen nënshkrimet e së paku 30 ligjvënësve.
VV-ja i ka 53 deputetë. Si e vetme ajo mund ta formojë shumicën për qeveri dhe kuvend vetëm me partitë e komuniteteve pakicë. Për presidentin duhen 80 deputetë në sallë në dy rundet e para të votimit.
Osmani mbetet propozim i LDK-së për presidente
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se asgjë nuk ka ndryshuar deri sonte, kur është pyetur nëse Vjosa Osmani mbetet emri i propozuar i kësaj partie për postin e presidentit.
Në një konferencë për media, në momentet e fundit brenda afatit kushtetues për seancën konstituive të legjislaturës së 11-të, Haziri ka thënë se LDK-ja në negociata me Vetëvendosjen ka kërkuar “vetëm balancë institucionale”.
Sot kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e caktoi vazhdimin e kësaj seance për të shtunën edhe pse afati kushtetues mbaron të premten. Partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë qëndruar në Kuvend në orët e fundit të së premtes, por nuk pati seancë. Haziri qëndrimin në Kuvend e ka quajtur “mbrojtje të rendit kushtetues”.
Ai ka thënë se Vetëvendosje është dashur ta ftonte seancën sonte për të respektuar rendin kushtetues.
Haziri po ashtu ka deklaruar se për pjesëmarrjen në seancën e ftuar të shtunën, LDK-ja do të mblidhet në mëngjes për të vendosur.
Haziri ka thënë se LDK-ja është e hapur për takime të tjera me VV-në, edhe pse të premten liderët e të dyja partive u shprehën se janë larg arritjes së një marrëveshjeje për formim institucionesh. LDK-ja ka kërkuar që ta propozojë emrin e presidentit, ndërsa kjo kërkesë nga VV-ja është cilësuar si “dallim i madh me rezultatin zgjedhor”.
Këtë kërkesë, Haziri e ka cilësuar me “ofrimin dy herë të postit të kryeministrit për parti të tjera, pavarësisht fitoreve në zgjedhje”.
“S’kemi marrë institucione vetëm për vete. S’po flasim për pozitën e kryeministrit sot. Por për balancim të rolit tonë. Nëse qeverinë e ka partia e parë duhet të balancojë pushtetin me partnerët”, ka thënë ai. “Kur zgjidhet një president me 2/3 është konsensual dhe e merr kushtetutën nën sqetulla, është i të gjithëve dhe ruan rendin kushtetues”.
Haziri ka mohuar se emri i tij është përmendur në diskutime për postin e presidentit.
Dyert e mbyllura, sonte s’ka seancë konstituive
Deputetët e partive opozitare nuk kanë arritur të futen në sallën e Kuvendit në përpjekjen e tyre për të qëndruar aty, në minutat e fundit të afatit kushtetues për vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të. Besnik Tahiri nga Aleanca ka thënë se dyert janë të mbyllura.
Ai ka deklaruar se vendimi i kryesuesit Avni Dehari që seanca të ftohet për 8 gusht shkel Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese në rastet paraprake.
“Ata që kanë dhënë urdhër për të mbyllur derën duan që ne të bëjmë akte vandale. Por ne kurrë s’do ta bëjmë këtë ndaj institucionit më të lartë të Republikës së Kosovës. Ne vetëm kërkojmë respektim të rendit kushtetues dhe mbrojtje të shtetit. Kjo sonte është edhe një goditje e rëndë që i jepet shtetit”, ka thënë ai.
Jakaj: Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës gabuan kur dje e lëshuan sallën
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës gabuan kur e lëshuan sallën gjatë seancës konstituive të Kuvendit, e cila u ndërpre nga kryesuesi Avni Dehari.
Sipas tij, pavarësisht vendimit arbitrar të kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për ta ndërprerë seancën dhe për t’i dhënë fjalën kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, opozita është dashur të qëndronte në sallë dhe të kërkonte vazhdimin e procedurës.
“Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës bënë një gabim kur dje e lëshuan sallën. Pavarësisht vendimit arbitrar të kryesuesit për ta ndërprerë seancën dhe për t’i lejuar Kurtit të fliste jashtë rendit të ditës, ata është dashur të qëndronin në sallë dhe të kërkonin vazhdimin e seancës”, ka deklaruar Jakaj në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai ka thënë se opozita mund t’i kërkonte Deharit të kthehej në seancë dhe Lëvizjes Vetëvendosje ta propozonte kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe të votoheshin nënkryetarët, në mënyrë që të përfundonte konstituimi i Kuvendit.
Jakaj ka shtuar se është pozitive që tani opozita ka nisur të reagojë më aktivisht, por sipas tij kjo ka ardhur me vonesë.
“Nuk është keq që tash po niset kjo, por pak vonë. Mirë që po ka aktivitet opozitar. Është e pafalshme që një pjesë e konsiderueshme e partive opozitare dje, përveç deklaratave pas seancës konstituive, nuk kanë marrë pjesë në ndonjë debat apo nuk kanë bërë ndonjë postim për t’i bërë presion Deharit që ta thërrasë këtë seancë”, ka thënë ai.
PDK-ja, LDK-ja e Aleanca në Kuvend, kërkojnë të mbahet sonte seanca
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca janë mbledhur me grupet e tyre parlamentare në objektin e Kuvendit dhe po kërkojnë që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet sonte, pak orë para se të skadojë afati 30-ditore për konstituimin e Kuvendit.
Gjatë një paraqitje për media, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se vendi ndodhet në një moment kritik për demokracinë dhe institucionet, ndërsa, sipas saj, PDK-ja nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues. Çitaku shtoi se Republika dhe demokracia janë më të rëndësishme se çdo lider, ambicie apo interes politik.
Tutje, ajo theksoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po refuzon respektimin e rregullave dhe normave kushtetuese.
“Është e papranueshme dhe ekstremisht e dënueshme nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës çdo përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues”, deklaroi Çitaku.
Çitaku i bëri thirrje kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të vijë në Kuvend dhe të vazhdohet procesi i konstituimit të institucioneve.
Thirrje për Kurtin pati edhe nga deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.
Hoti: LDK-ja po kërkon pozita institucionale që t’i qetësojë problemet e brendshme
Ministri në detyrë për Familjen, Andin Hoti, ka akuzuar partitë deri tash në opozitë për krizën politike.
Të premten përfundon afati kushtetues për konstituim të legjislaturës së re, pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Por kryesuesi Avni Dehari ka caktuar që vazhdimi i seancës së nisur të enjten të mbahet të shtunën. Vetëvendosje dhe kryetari i saj Albin Kurti e kërkuan shtyrjen një ditë më parë me pretekstin se po duan më shumë kohë për negociata me parti të tjera për formim të institucioneve, duke vënë theksin te nevoja për 80 vota për presidentin. Megjithatë, VV-ja si e vetme me pakicat mund ta formojë shumicën në Kuvend dhe për Qeveri.
E Hoti tek ka komentuar qëndrimet e partive të tjera ka pasur vetëm kritika ndaj tyre. Ai i ka akuzuar Partinë Demokratike, Lidhjen Demokratike dhe Aleancën për papërgjegjësi politike e përbuzje të vullnetit të popullit.
“PDK dhe AAK kanë zgjedhur rrugën më të lehtë për ta, por jo për popullin dhe Kosovën: t’i çojnë duart lart, të tërhiqen nga çdo bisedim dhe pastaj, nga distanca, të tregojnë me gisht të tjerët. Por, po harrojnë që liderët e partive politike nuk janë 'drejtorë të kompanive të kërpudhave'. Udhëheqin parti që kanë marrë votën e qytetarëve dhe mandate në Kuvendin e Republikës. Kanë përgjegjësi politike, demokratike e institucionale të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë për krijimin e institucioneve të vendit. PDK-ja thotë: ne nuk lëvizim asnjë hap, pikë. Dhe këtu mbaron edhe 'dashuria ndaj shtetit për ta' AAK-ja, ndërkaq, ka zgjedhur një lojë të shëmtuar. Vendos kushte dhe i ambalazhon si sakrificë për qytetarin, sikur papritur aty qenka shpëtimi i Kosovës. Harrojnë se kanë qenë dhjetëra herë pjesë e pushtetit dhe shumë prej këtyre “kauzave jetike” nuk i kanë pasur as prioritet politik, as plan serioz e aq më pak zbatim kur vetë kanë qeverisur. Tani, pasi Albin Kurti ka udhëhequr një qeverisje që ka forcuar sovranitetin e vendit dhe ka avancuar Kosovën në shumë fusha, dalin me lojëra të ulëta politike dhe përpiqen t’i shiten qytetarit si shpëtimtarë. E neveritshme!” ka shkruar ai në Facebook për refuzimin e PDK-së dhe të Aleancës për takim me Kurtin.
Ndërkaq për LDK-në, me të cilën Kurti është takuar katër herë, por s’u arrit dakordimi për formim institucionesh, Hoti ka thënë se kjo parti po tenton të qetësojë probleme të brendshme me pozita institucionale.
“Ndërkaq LDK-ja, në vend që rezultatin zgjedhor ta lexojë siç është, po tenton që votën e qytetarëve ta shndërrojë në monedhë për pazare të brendshme. Po kërkon që apetitet dhe problemet e veta të brendshme t’i qetësojë me pozita institucionale të cilat qytetari nuk ia ka dhënë me votë. Jo! Demokracia nuk funksionon kështu. Zgjedhjet e fundit, sikurse edhe dy palë zgjedhje para tyre, kanë dhënë një mesazh politik që nuk mund të fshihet me negociata pas dyerve të mbyllura: qytetarët kanë treguar qartë se kujt ia besojnë barrën kryesore të qeverisjes”, ka shkruar ai.
Hoti ka akuzuar partitë tjera se po mbajnë peng funksionalizimin e institucioneve. Ai ka thënë se “kjo nuk është opozitarizëm, por marrëzi politike”.
“Kosova nuk është pronë e asnjë partie. As institucionet nuk janë plaçkë për t’u ndarë deri sa secili të kënaqë apetitet e veta. Secili duhet ta marrë përgjegjësinë që ia ka dhënë vota. As më shumë, as më pak”, ka përfunduar Hoti.
IKD-ja me tri kërkesa urgjente, i numëron shkeljet kushtetuese
Instituti i Kosovës për Drejtësi tek ka vlerësuar se po bëhen disa shkelje kushtetuese me lëvizjet e fundit politike, ka kërkuar konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit, përfundimin e ushtrimit të pozitave ministrore nga deputetët dhe respektimin e kufijve kushtetues të ushtrimit të detyrës së presidentes.
Në një reagim pasi kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari e caktoi për të shtunën vazhdimin e saj, një ditë pas afatit kushtetues, IKD-ja ka thënë se institucionet s’mund të funksionojnë mbi bazën e interpretimeve politike apo mungesës së sanksioneve.
IKD-ja ka vlerësuar se moskonstituimi i Kuvendit sot, 30 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, përbën shkelje të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Afati tridhjetëditor ka filluar me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve më 8 korrik. Brenda këtij afati, Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstituive me zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve. Seanca e 6 gushtit u ndërpre pas kërkesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për negociata rreth zgjedhjes së Presidentit. Mirëpo, zgjedhja e Presidentit është proces i veçantë dhe nuk mund të vendoset si parakusht për konstituimin e Kuvendit. Në seancën konstituive nuk zhvillohet debat. Negociatat politike duhet të zhvillohen jashtë saj dhe nuk mund ta pezullojnë përmbushjen e një detyrimi kushtetues. Megjithëse afati është shkelur, Kushtetuta nuk përcakton shpërndarjen automatike të Kuvendit, përsëritjen e zgjedhjeve apo ndonjë pasojë të drejtpërdrejtë për kryesuesin e seancës. Mungesa e sanksionit nuk e ligjëson shkeljen, por as nuk e pamundëson vazhdimin e procesit”, thuhet në reagim.
IKD-ja ka thënë se deputetët megjithatë duhet ta përfundojnë nesër konstituimin pa vonesa të tjera.
“Prandaj, deputetët e të gjitha partive duhet të marrin pjesë nesër në seancë, të votojnë për Kryetarin dhe nënkryetarët dhe ta përfundojnë konstituimin pa vonesa të tjera. Shkelja e afatit nuk duhet të përdoret si arsyetim për bojkot ose bllokadë të re. Nëse deputetët konsiderojnë se ndërprerja e seancës dhe kalimi i afatit kanë cenuar Kushtetutën, çështja duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagim.
IKD-ja e ka vlerësuar si problem serioz edhe ushtrimin e funksioneve ministrore nga deputetët e zgjedhur.
“Në Aktgjykimin P.A.nr.09/2025, Gjykata Supreme ka përcaktuar se, nga momenti i certifikimit të rezultateve, personi i zgjedhur konsiderohet deputet dhe nuk mund ta ushtrojë njëkohësisht funksionin e ministrit. Ministrat në detyrë që janë zgjedhur deputetë është dashur t’i përfundonin funksionet ekzekutive para certifikimit të rezultateve. Kjo nuk ka ndodhur as para certifikimit dhe as para dhënies së betimit më 6 gusht. Vazhdimi i ushtrimit të dy funksioneve të papajtueshme është në kundërshtim me nenin 72 të Kushtetutës, me ndarjen e pushteteve dhe me standardin e vendosur nga Gjykata Supreme”, thuhet në reagim.
Ndërkaq si çështje më urgjente është cilësuar statusi i kryetares së Kuvendit të legjislaturës së shkuar, Albulena Haxhiu, që nga 4 prilli është edhe ushtruese e detyrës së presidentes për shkak të funksionit si kryeparlamentare. Sipas IKD-së, me thirrjen e seancës konstituive ka përfunduar mandati i Haxhiut dhe se tani vendi ndodhet në “problem serioz institucional”.
“Nga praktika, mandati i Kryetarit të legjislaturës së mëparshme vazhdon vetëm deri në seancën konstituive. Me thirrjen dhe fillimin e seancës konstituive të legjislaturës së re, ka përfunduar mandati i Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit. Me përfundimin e këtij mandati ka pushuar edhe baza kushtetuese mbi të cilën ajo e ushtronte detyrën e Presidentes. Kushtetuta ia njeh këtë kompetencë Kryetarit të Kuvendit dhe jo ish-kryetarit të tij. Kryesuesi i seancës konstituive nuk është Kryetar i Kuvendit dhe nuk mund ta marrë automatikisht ushtrimin e detyrës së Presidentit. Derisa Kuvendi nuk e zgjedh Kryetarin e ri, vendi ndodhet në një problem serioz institucional. Pavarësisht këtij përfundimi, edhe sikur të pretendohej se UD e Presidentes, Albulena Haxhiu mund të vazhdonte ta ushtronte detyrën, neni 90 i Kushtetutës e kufizon këtë periudhë në jo më shumë se gjashtë muaj. Rrjedhimisht, ajo në asnjë rrethanë nuk mund ta ushtrojë këtë funksion pas 5 tetorit 2026”, thuhet në reagim.
IKD-ja ka vlerësuar se çfarëdo vendimi që mund të ndërmerret nga Haxhiu si u.d. e presidentes, mund të bëhet objekt i vlerësimit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese.
Aleanca kërkon seancë të jashtëzakonshme për ta përfunduar sonte konstituimin
Aleanca ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme sonte në orën 22:30, me synimin që të përfundojë procesi i konstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues.
Deputeti i kësaj partë, Besnik Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të rendit kushtetues, duke thënë se veprimet e saj po krijojnë një precedent të rrezikshëm për vendin.
“Po shprehim kundërshtimin më të madh me atë që po i ndodh sonte demokracisë parlamentare. Është shkelje e rendit kushtetues nga partia që i ka fituar zgjedhjet, e cila me vendimet e saj po vendos një shembull që, pa asnjë dyshim, është rrezik për vendin. Qëllimi ka qenë bartja e fajit te opozita dhe marrja e tri pozitave nga VV-ja. Nuk do të lejojmë që rendi kushtetues të rrezikohet, që Kosova të bëhet parti-shtet”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka bërë të ditur se Aleanca, në koordinim me grupet e tjera parlamentare, po kërkon seancë të jashtëzakonshme sonte.
“Si grup parlamentar, në diskutim me grupet parlamentare, kemi një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme që të thirret sonte në orën 22:30, që ne të mblidhemi dhe të kërkojmë prej kryesuesit të seancës ta thërrasë seancën dhe sonte ta kryejmë konstituimin”, ka thënë Tahiri.
Kurti ia ofron PDK-së kryeparlamentarin për president
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka ofruar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) postin e kryetarit të Kuvendit, në këmbim të mbështetjes për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit.
Në letrën drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, Kurti ka shprehur keqardhje për refuzimin e takimit nga ana e kësaj partie, duke theksuar se komunikimi mes tyre duhet të zhvillohet përmes dialogut të drejtpërdrejtë dhe jo vetëm me shkresa zyrtare.
Ai ka thënë se e respekton vendimin e PDK-së për të mbetur në opozitë, por ka theksuar se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e presidentit janë procese që kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha forcave politike.
Sipas Kurtit, kontributi real i PDK-së nuk është vetëm propozimi i emrit për nënkryetar të Kuvendit, por edhe pjesëmarrja në zgjedhjen e presidentit, gjë që, sipas tij, do ta shmangte mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Kontribut real mund të jepni pikërisht te zgjedhja e presidentit/es, e cila do të na i evitonte edhe një palë zgjedhje të panevojshme e të paarsyeshme, gjithsesi të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për ekonominë e vendit”, ka shkruar Kurti.
Në fund të letrës, ai i propozoi PDK-së që kjo parti të marrë postin e kryetarit të Kuvendit në këmbim të mbështetjes për presidentin.
“Për qëndrimin tuaj në sallë dhe për pjesëmarrje në votimin për president/e të ri/e të Republikës jemi të gatshëm që ta bëjmë rokadën e nënkryetarit/es suaj të Kuvendit me kryetarin/en e Kuvendit nga ne. Ky do të ishte një kontribut i juaji me përfitim për PDK-në: udhëheqjen e njërës nga tri pozitat e larta politike shtetërore në Republikën e Kosovës”, thuhet në letrën e Kurtit.

Deputetët e PDK-së mblidhen në Kuvend
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) janë mbledhur në Kuvend, vetëm pak orë para skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e legjislaturës së 11-të.
Mbledhja e grupit parlamentar të PDK-së vjen pasi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, caktoi vazhdimin e seancës për nesër, pavarësisht kërkesave që ajo të mbahej brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Deputetja Vlora Çitaku ka thënë në një konferencë se mbledhja është për të diskutuar për zhvillimet, teksa është zotuar se PDK-ja s’bëhet pjesë e “përmbysjes së rendit kushtetues”.
Ndër zhvillimet e fundit është edhe një letër që kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ia ka dërguar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza. Aty i ka propozuar që PDK-ja ta marrë postin e kryeparlamentarit, e që VV-ja ta marrë postin e presidentit.
Më herët, edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Albena Reshitaj, u bëri thirrje deputetëve që të shkojnë në sallë sonte.
LDK-ja i bën thirrje VV-së ta ftojë seancën sonte
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që ta thërrasë sonte vazhdimin e seancës konstituive, në mënyrë që procesi të përmbyllet brenda afatit të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Në reagimin e saj, LDK-ja ka shprehur shqetësimin për moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues, duke paralajmëruar se një situatë e tillë rrezikon ta vendosë Kosovën në një fazë të paqartësisë kushtetuese dhe mungesës së legjitimitetit institucional.
Sipas LDK-së, kjo mund të ketë pasoja të pariparueshme për funksionimin e rregullt të institucioneve dhe sigurinë juridike në vend.
Partia thekson se qëndrimi i saj ka qenë i qartë dhe i pandryshuar gjatë gjithë procesit, se Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duke shtuar se ky qëndrim është paraqitur në të gjitha takimet konsultative, përfshirë edhe atë të zhvilluar sot nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.
LDK-ja rikujton se zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese është obligim kushtetues dhe se respektimi i tyre është në interes të funksionimit demokratik të Republikës së Kosovës.
“Prandaj, LDK i bën thirrje subjektit të parë parlamentar që, në përmbushje të përgjegjësive që i takojnë në këtë proces, të mundësojë mbajtjen e seancës së konstituimit sonte dhe përmbylljen e këtij procesi brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagim.
Sipas LDK-së, mosmbajtja e vazhdimit të seancës sonte, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, ua pamundëson deputetëve ushtrimin e mandatit të tyre në përmbushje të obligimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
PDK: S’do të qëndrojmë duarkryq ndaj shkeljeve kushtetuese të Kurtit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur shqetësimin për siç thonë shkeljen e rendit kushtetues nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila sipas tyre, sot refuzoi të respektojë afatin e përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit e Kosovës. PDK-ja ka paralajmëruar se nuk do të qëndrojë duarkryq përballë këtyre vendimeve.
Sipas PDK-së, Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.
“Ky afat përfundon sonte. Në vend të respektimit të këtij detyrimi kushtetues, shumica parlamentare zgjodhi ta shpërfillë vendimin e Gjykatës dhe, përmes deputetit më të vjetër si kryesues i seancës solemne, e caktoi vazhdimin e seancës për nesër, pasi afati të ketë skaduar”, thuhet në reagim.
PDK-ja ka thënë se e kundërshton këtë veprime, duke konsideruar se është precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor.
“Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton fuqishëm këtë veprim, i cili nuk është vetëm shkelje e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor. Askush nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe aq më pak ata që kanë detyrimin e parë ta mbrojnë dhe ta zbatojnë atë”.
Sipas partisë më të madhe opozitare, Kurti e ka vendosur interesin partiak mbi atë shtetëror.
“Për fat të keq, edhe një herë po dëshmohet se Albin Kurti e ka vendosur vullnetin partiak mbi Kushtetutën e Republikës dhe interesin partiak mbi interesin shtetëror. Është për keqardhje që një subjekt politik, i cili ka marrë besim nga qytetarët për t’i krijuar institucionet e reja, po e mban peng Republikën e Kosovës për shkak të kalkulimeve të veta politike, duke e zvarritur krijimin e tyre dhe duke prodhuar pasiguri kushtetuese”, vijon reagimi.
PDK-ja ka thënë se Kushtetuta është themel i rendit demokratik dhe juridik të shtetit, prandaj paralajmëruan se nuk do të qëndrojnë duarkryq.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është çështje interpretimi politik, por themeli i rendit demokratik dhe juridik të shtetit. Prandaj, ashtu si në çdo rast kur është cenuar rendi kushtetues, edhe kësaj radhe PDK nuk do të qëndrojë duarkryq. Mbrojtja e Kushtetutës dhe e shtetit të së drejtës është detyrim ndaj qytetarëve dhe ndaj Republikës së Kosovës. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim të ligjit. Nuk ka demokraci funksionale aty ku vullneti i një partie vendoset mbi Kushtetutën e Kosovës. Për fat të keq, sot Albin Kurti sërish zgjodhi pikërisht këtë rrugë”, thuhet në fund të reagimit.
Seanca të shtunën, Cakolli: Cenim i rendit kushtetues, deputetët t’i drejtohen Gjykatës
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se caktimi i vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit për nesër, në orën 11:00, përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe cenim të rendit kushtetues. Ai i ka bërë thirrje deputetëve që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojnë masën e pezullimit të seancës.
Sipas tij, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka pasur obligim që vazhdimin e seancës ta thërriste gjatë ditës së sotme, në mënyrë që procedura të përfundonte brenda afatit kushtetues.
“Afati 48-orësh për pauzën është kufi procedural dhe zbatohet vetëm brenda afatit kushtetues. Dehari, përmes caktimit të vazhdimit pas afatit, dhe LVV-ja, përmes mosushtrimit brenda afatit 30-ditor të së drejtës ekskluzive të propozimit, ua kanë pamundësuar deputetëve ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve të tyre kushtetuese”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Ai ka shtuar se ky vendim, së bashku me veprimet e ndërmarra, përbën shkelje procedurale, shkelje kushtetuese dhe moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Për këtë arsye, Cakolli ka bërë thirrje që menjëherë pas mesnatës të paktën dhjetë deputetë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar vendimin për caktimin e seancës pas skadimit të afatit, si dhe mosveprimet e datave 6 dhe 7 gusht.
Ai ka kërkuar gjithashtu që të kërkohet masë e përkohshme për pezullimin e seancës së paraparë për nesër në orën 11:00.
Kuvendi vazhdon seancën konstituive të shtunën
Edhe pse afati kushtetues për seancën konstituive të Kuvendit përfundon sonte, vazhdimi i saj është caktuar për të shtunën e 8 gushtit.
Në një njoftim publik, Kuvendi ka treguar se seanca do të vazhdojë me fillim nga ora 11 të shtunën.
Kurti: Kemi dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ka një dallim drastik mes kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ai ka theskuar se pa marrëveshje për president do të ketë zgjedhje të reja.
“Marrëveshje politike nuk e kemi ende, pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së”, është shprehur Kurti.
“E kemi mundësinë që menjëherë ta zgjedhim edhe kryetarin e kuvendit edhe kryesinë e edhe të më zgjedhin mua kryeministër, por nëse nuk e kemi të zgjedhur çështjen e presidentit, do të shkojmë përsëri në zgjedhje të reja. A ka ndokush që do zgjedhje të reja, më lejoni një herë mua t’ju pyes? Pa u marrë vesh për çështjen e presidentit, nuk ka mundësi t’i evitojmë zgjedhjet e reja. Çështja kryesore është a ka marrëveshje për president, nëse nuk ka marrëveshje për president e kotë është zgjedhja e kryesisë së Kuvendit, kryetarit të Kuvendit dhe qeverisë. Pa marrëveshje për president, kemi zgjedhje të reja”, ka shtuar ai.
Ai ka theksuar se ka shpërputhje mes ambicieve të LDK-së dhe rezultatit që ajo ka arritur në zgjedhje.
“Në këtë situatë ku kemi ambicie, apetite që LDK ta ketë presidentin ndonëse e dini që për ta aplikuar për president nevojiten 30 nënshkrime, për tu zgjedhur duhet 61. Ka shpërputhje të madhe mes rezultatit dhe ambicieve”, është shprehur Kurti.
Ai ka deklaruar se asnjëherë presidenti nuk ka qenë nga opozita dhe se peferenca e tyre e parë është presidenti konsensual.
“Por nëse nuk ka president konsensual dhe nëse vijmë te presidenti partiak atëherë është Lëvizja Vetëvendosje, parti për parti jemi ne. Ne i kemi 53 deputetë, e tre të tjerë së bashku gjithsej bëjnë 47. Le të mos zgjedhim president partiak, të shkojmë me një figurë akademike, profesionist të dëshmuar, por nëse kjo refuzohet në mënyrë kategorike, atëherë kur shkojmë te subjektet politike para së gjithash e mbi të gjithash, fituesi i zgjedhje që nuk është fitues i zakonshëm i zgjedhjeve, në këtë situatë e kemi të pamundur të bëjmë marrëveshje politike që e deformojnë rezultatin zgjedhor”, ka theksuar Kurti.
Ai ka thënë se nuk mund të lejojnë që rezultatit zgjedhor të shpërfytyrohet.
“Nuk mund të vijmë në atë situatë që kushdo qoftë nga opozita të mendojë se meqenëse mund të përdoret ky çelësi i shndërruar ne kleçkë prej 80 deputetëve në bazë të një aktgjykimi të para 15 vjetëve, atëherë mund ta detyrojmë VV-në të vihet në pozitë thuajse nuk fitoi në zgjedhje”, është shprehur Kurti.
Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Jemi shumë, shumë larg marrëveshjes eventuale
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se janë shumë larg marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale, nuk pres që të ndryshojë pa ndryshuar pozicionet politike të partive. Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë, nuk mund të ketë as marrëveshje. Nëse qëndrojnë pozicionet e njëjta si të dhjetorit përfundimi është i njëjtë si tani”, ka thënë Abdixhiku pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ai ka theksuar se qëllimi i LDK-së ka qenë të gjendet zgjidhja, derisa ka shprehur keqardhje, duke thënë se janë në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjate.
“Qëllimi i LDK ka qenë të gjendet zgjidhja, jo të merremi kush kë po e mund, po e mashtron, po e vonon. Në këtë pikë me keqardhje them se jemi në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjate”, është shprehur Abdixhiku.
Ai ka thënë se LDK-ja ka kërkuar që ta propozojë emrin për president.
“Është çështja e presidentit. LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë. Oferta e dhjetorit që LDK të merr jo kryetarit e Kuvendit, por zvkryeministrin dhe disa ministri nuk është e mjaftueshme, nuk është e dinjitetshme as për të dhënë zgjidhje për krizën që jemi. Nuk mund ta pranojmë si të tillë, nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar”, është shprehur Abdixhiku.
“Sapo që pajtohemi që propozimi për president të vijë nga LDK, atëherë bashkë me Kurtin e caktojmë atë emër. Nuk po flas ‘na jipni mbështetje bllanko dhe vijmë me dy emra’. Jo jo, flasim, sepse po flasim për presidentin”, ka shtuar ai.
Kurti: Kur të kemi marrëveshje me LDK-në do të ketë edhe material për lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, para takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se këto takime nuk përbëjnë lajm.
Sipas tij, kur të ketë marrëveshje me këtë parti, do të ketë edhe material për lajme.
Kështu është deklaruar ai në pyetjet e gazetarëve mbi pritjet për takimin që do të mbahet sot.
“Kur të ka kemi marrëveshje politike, nga ana ime do të keni edhe material për lajme. Takimet me LDK nuk janë më lajm, janë përpjekje normale për t’i konstituuar sa më shpejt institucionet e legjislaturës së 11-të”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Abdixhiku ka thënë se do të deklarohet pas takimit.
Kurti e Abdixhiku mbajtën takime edhe ditë më parë, por rezultuan pa marrëveshje për formimin e institucioneve.
Abdixhiku mbërrin në Kuvend për takim me Kurtin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbërritur të premten pasdite në hapësirat e Kuvendit, ku do të takohet me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë.
Abdixhiku nuk ka pranuar të flasë para mediave, duke thënë se do të prononcohet pas takimit.
Ndërsa, Kurti me të arritur në hapësirat e Kuvendit, u ka thënë mediave se material për lajme do të kenë kur të arrihet marrëveshja politike.
Kurti e Abdixhiku mbajtën takime edhe ditë më parë, por rezultuan pa marrëveshje për formimin e institucioneve.
Hamza refuzon sërish ftesën e Kurtit për takim
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka refuzuar ftesën për takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Hamza i është përgjigjur përmes një letre Kurtit, ku i ka thënë se qëndrimi i PDK-së mbetet i njëjtë - se partia e tij qëndron në opozitë.
Hamza ka shkruar se për shkak të dallimeve programore dhe konceptuale, PDK-ja “do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Ndërkohë që i ka kërkuar që sot, 7 gusht, LVV-ja të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit.
“Nga ju kërkojmë që sot, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja”, ka shkruar Hamza.
Hoti akuzon LVV-në për shantazh, thotë se duhet gatishmëri për kompromis
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shantazh me zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ai ka thënë se LDK-ja është e gatshme të ndihmojë në formimin e institucioneve, por se kjo arrihet me gatishmëri për kompromis.
“Sigurisht se LDK-ja ka vullnet të ndihmojë në themelimin e institucioneve. Por kjo duhet dhe mund të bëhet vetëm duke treguar gatishmëri për kompromis. Duke shantazhuar me zgjedhje të jashtëzakonshme nuk arrihet asgjë. Përkundrazi”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Pacolli: Koha që opozita të tregojë nëse është opozitë e Republikës apo e bllokadave
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka vlerësuar se presidenti i vendit nuk duhet të jetë figurë e betejave të zakonshme politike.
Ajo ka thënë se për zgjedhjen e presidentit të vendit nuk mjafton vetëm vullneti i një partie apo i një shumice parlamentare.
Sipas saj Kushtetuta dhe vetë natyra e këtij posti kërkojnë një qasje që e përfshin edhe opozitën.
“Presidenti nuk është president i një partie. Është president i Republikës. Prandaj, propozimi i kandidatit duhet të jetë rezultat i një dialogu serioz politik, ku shumica dhe opozita parlamentare duhet të ulen në një tavolinë dhe të kërkojnë emrin që mund të kapërcejë interesat e ngushta partiake”, ka shkruar Pacolli në një postim në Facebook.
Ajo ka thënë se opozita nuk duhet dhe nuk mund ta trajtojë procesin vetëm si mundësi për ta bllokuar shumicën dhe se “Kosova ka nevojë për një president që del nga një marrëveshje që i jep legjitimitet më të gjerë institucionit të Presidentit”.
“Në këtë proces, përgjegjësia është e të gjithëve. Në fund, nuk është çështja vetëm kush do të zgjidhet president, por si do të zgjidhet dhe çfarë legjitimiteti do të ketë ai president. Tani është koha që opozita të tregojë nëse është opozitë e Republikës apo opozitë e bllokadave”, ka shkruar Pacolli.
GLPS: Sot s’ka hapësirë për justifikime, ekziston vetëm një detyrim i qartë - Konstituimi i Kuvendit
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti fitues i zgjedhjeve dhe bartës i përgjegjësisë për propozimin e Kryetarit të Kuvendit, si dhe të gjitha partive parlamentare, që sot të ndërmarrin hapat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit. GLPS përmes një reagimi ka thënë se dështimi për ta konstituuar Kuvendin brenda afatit kushtetues nuk do të ishte vetëm një papërgjegjësi politike por një dështim i papranueshëm institucional, një shkelje e hapur e kushtetutës dhe një mungesë e rëndë përgjegjësie ndaj qytetarëve të Kosovës.
Sipas GLPS-së, sot më 7 gusht nuk ka më hapësirë për justifikime, interpretime të gjëra politike apo shtyrje të mëtejshme dhe se ekziston vetëm një detyrim i qartë që është konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues. “Çdo dështim për ta përmbushur këtë obligim do të ishte shkelje e kushtetutës dhe një akt i papërgjegjshëm politik dhe institucional”.
GLPS-ja e ka konsideruar të papranueshëm arsyetimin e LVV-së për ndërprerjen e seancës së djeshme me pretendimin se nevojitet kohë shtesë për diskutime lidhur me zgjedhjen e presidentit/es.
“Çdo prolongim në emër të ‘diskutimeve politike’ e që për qëllim ka kalkulimet politike nuk i shërben zbatimit të dispozitave kushtetuese, cenon pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës dhe rrjedhimisht interesin publik. Çështja e Presidentit/es nuk mund të përdoret si justifikim për të pezulluar ose shtyrë përmbushjen e një obligimi kushtetues që ka afat të qartë dhe të detyrueshëm. Ky arsyetim është edhe më pak bindës duke pasur parasysh se partitë politike kanë pasur muaj të tërë në dispozicion për të zhvilluar dialog lidhur me zgjedhjen e Presidentit/es. Edhe vetë caktimi i seancës në ditët e fundit të afatit kushtetues u arsyetua me nevojën për t'u dhënë partive kohë të mjaftueshme për të zhvilluar këto diskutime. Për më tepër, pas ndërprerjes së seancës nuk u pa asnjë takim mes partive politike që do ta justifikonte këtë shtyrje”, thuhet në reagim.
GLPS ka theksuar se konstitutimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë e procesi i zgjedhjes së presidentit nuk duhet të ngatërrohen.
“GLPS rikujton se konstituimi i Kuvendit është parakusht për zgjedhjen e dy organeve tjera kushtetuese Qeverisë dhe Presidentit e të cilat kanë afate strikte kushtetuese. Procedura për zgjedhjen e Presidentit/es mund të zhvillohet brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e konstituimit të Kuvendit. Duke qenë se mandati i Presidentes në detyrë përfundon më 5 tetor, çdo zvarritje vetëm sa e rrit rrezikun e një krize të re kushtetuese. Në të njëjtën kohë, ushtrimi i funksionit të Presidentit/es përtej përfundimit të mandatit kushtetues prej 6 muajsh do të përbënte tejkalim të mandatit kushtetues dhe cenim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës”, thuhet tutje.