Arbëri

Kosova me dy kërkesa urgjente ndaj BE-së

p

Kryenegociatori Besnik Bislimi ia ka shtruar në Prishtinë dy kërkesa emisarit të BE-së për dialogun, Peter Sorensen. Bazuar në njoftimin e Qeverisë për këtë takim, Bislimi ka thënë se duhet të trajtohet me urgjencë çështja e personave të zhdukur me dhunë, e po kështu urgjencë duhet të trajtohet edhe shpërndarja e mjeteve për fermerët në Luginën e Preshevës, që është bllokuar nga Serbia

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, ka pritur të mërkurën emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, të cilit ia ka shtruar dy kërkesa. 

Bazuar në njoftimin e Qeverisë për këtë takim, Bislimi ka thënë se duhet të trajtohen me urgjencë të dyja çështjet, për të cilat ka fajësuar Serbinë.

E para lidhet me të pagjeturit.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi gjithashtu se duhet të trajtohet me urgjencë dhe vëmendjen e merituar çështja e personave të zhdukur me dhunë, në mënyrë që të fillohet edhe me punën e Komisionit të Përbashkët, gjersa e kemi një marrëveshje të dakorduar nga dhjetori i vitit të kaluar”, thuhet në njoftim.

Këtë javë, mbetjet mortore të katër personave që dyshohet të jenë viktima të luftës së fundit në Kosovë, janë gjetur në varrezat e fshatit të Prishtinës, Hajvali. Ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, bashkë me ata të Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, kanë gjetur mbetjet e tre personave të hënën, si dhe të një tjetri të martën. Anëtari i këtij komisioni, Kushtrim Gara, ka bërë të ditur se nën presionin ndërkombëtar, Serbia ka siguruar një skicë që e ka sugjeruar këtë lokacion për gërmim.

E, kërkesa e dytë adresuar emisarit Sorensen lidhet me investimet e Qeverisë së Kosovës në Luginë të Preshevës.

“Gjithashtu me urgjencë duhet të trajtohet problemi i bllokimit të shpërndarjes së mjeteve për fermerët në Luginën e Preshevës, që është bllokuar nga Serbia dhe e cila refuzoi edhe në takimin e fundit në Bruksel të muajit të kaluar, që ta trajtojë këtë çështje”, është cituar zëvendëskryeministri Bislimi, në njoftimin e lëshuar nga qeveria pas takimit.

Në këtë takim është shtruar si problem edhe bllokada në “autostradën energjetike” që Serbia ia ka vënë Kosovës.

“Ai (Bislimi v.j.) foli edhe rreth dëmeve që Serbia po ia shkakton Kosovës vit pas viti me bllokimin e linjave të interkoneksionit, i cili po e rrit koston e transmisionit për energjinë jo vetëm në Kosovë, por edhe për rajonin”, thuhet në njoftim.

Në të është bërë e ditur se Bislimi e Sorensen kanë diskutuar edhe rreth rrugës përpara drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit. Po ashtu, i është kërkuar BE-së edhe heqja e masave të vëna, pas veprimeve që autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë në veriun e banuar kryesisht me serbë, me qëllimin për ta shtrirë autoritetin kushtetues e ligjor.

“Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu edhe rëndësinë dhe domosdoshmërinë që sa më parë të ndodhë heqja e plotë e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës”, thuhet në njoftim.

Heqja e masave është kushtëzuar me depërshkallëzimin në veri. Ndonëse një raport i BE-së ka konstatuar se veprimet për këtë janë marrë, masat kanë nisur të hiqen formalisht, por jo ato kryesore që lidhen me një numër fondesh dhe me takimet e nivelit të lartë.