Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti pret që gërmime për varreza masive me shqiptarë të nisin në disa lokacione në Serbi

Në shtator kanë nisur gërmime në fshatin Kozhle të Novi-Pazarit në Serbi, ku dyshohet për varrezë masive me shqiptarë. Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se rezultate nuk priten brenda vitit, meqë lokacioni është kthyer në deponi mbeturinash. Ai ka theksuar se gërmimet duhet të nisin edhe në lokacione të tjera të Serbisë, e ku dyshohet të jenë varreza të tjera masive

Në 24 lokacione në Kosovë janë realizuar gërmime gjatë këtij viti, me qëllim të gjetjes së mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës.

Në Hajvali të Prishtinës, gjatë kësaj jave janë gjetur mbetje mortore të katër personave, pasi që lokacioni është sugjeruar në bazë të një skice të cilën Serbia e ka ofruar pas presionit ndërkombëtar.

Andin Hoti, i cili është kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, ka thënë se shkaku i ndjeshmërisë, nuk mund të ofrohen informacione për shumë lokacione ku janë duke u bërë kërkime.

“Sot dhe ditëve në vijim janë duke u gërmuar në një lokacion tjetër që e kam shpjeguar për hir të familjeve, për hir të mosshqetësimit të tyre të mos i përmendim, derisa t’i përfundojmë këto procedurat tona. I kemi edhe katër urdhëresa të cilat ne duhet t’i zbatojmë, ato vijnë prej Gjykatës, të cilat po pretendojmë që brenda këtij viti t’i përfundojmë”, ka theksuar ai.

Një ditë më parë, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, e ka pritur emisarin e Bashkimit Evropian (BE), Peter Sorensen, të cilit i ka thënë se duhet të trajtohet me urgjencë dhe me vëmendjen e merituar çështja e personave të zhdukur me dhunë. Ai ka kërkuar të fillohet edhe me punën e Komisionit të Përbashkët, sipas marrëveshjes së dakorduar në dhjetor të vitit të kaluar.

Edhe Për një vit u gjetën mbetje mortore të 16 personave që dyshohen se janë zhdukur gjatë luftës Arbëri Për një vit u gjetën mbetje mortore të 16 personave që dyshohen se janë zhdukur gjatë luftës

Serbia nuk i është përgjigjur kërkesës së autoriteteve të Kosovës për qasje në arkiva, që mund të tregojnë vendndodhjen e shumë varrezave masive në Serbi.

Në shtator të këtij viti, gërmime kanë filluar edhe në fshatin Kozhle të Novi-Pazarit në Serbi.

Por Hoti ka thënë se ato nuk pritet të përfundojnë brenda vitit, shkaku që lokacioni i dyshuar për varrezë masive është kthyer në deponi mbeturinash.

“Prej vitit 1999 janë 15 metra deponi mbeturina, të cilat tash po duhet m’i largu. Patën premtu që kanë m’i largu për 2 javë, por që nuk ka ndodhë dhe nuk pres të ndodhë një gjë e tillë. Nuk pres që brenda këtij viti, për shkak të vonesave që janë duke i bërë. 1 javë nuk punojnë, dy-tri ditë nuk punojnë, nuk është koha e mirë, nuk është ajo e mirë, arsyetime të ndryshme që i kanë”, ka theksuar Hoti.

Edhe Më 2025, në 16 lokacione u gjetën mbetje mortore të personave që dyshohen të zhdukur gjatë luftës Arbëri Më 2025, në 16 lokacione u gjetën mbetje mortore të personave që dyshohen të zhdukur gjatë luftës

Ai e ka shprehur pritjen që gërmime të nisin edhe në lokacione të tjera të Serbisë, ku dyshohet të jenë varreza të tjera masive me shqiptarë.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13 mijë persona, ndërsa 1.534 vazhdojnë të jenë të zhdukur.