Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit ka njoftuar se të martën janë zhvarrosur mbetjet mortore e katër personave në varrezat e fshatit Hajvali në Prishtinë. Dyshohet se bëhet fjalë për mbetje mortore të kohës së luftës.
Andin Hoti, kryetar i këtij komisioni, në një deklaratë për media nga vendi i ngjarjes ka thënë se vetëm sivjet brenda territorit të Kosovës ka pasur gërmime në 24 lokacione. Prej tyre, në 12 janë hasur mbetje mortore të personave që potencialisht mund të jenë nga lista e personave të zhdukur.
Gërmimi në Hajvali, sipas tij, vjen pas bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare.
“Në këtë lokacion, deri në këtë moment kemi arritur të gjejmë mbetje mortore të katër personave... ose së paku edhe katër personave”, ka thënë ai teksa ka bërë të ditur se do të duhen disa muaj për identifikim.
Ndërsa Kushtrim Gara nga ky komision ka thënë se në këto varreza të Hajvalisë gërmimet po bëhen për herë të dytë. Hera e parë ishte menjëherë pas luftës. Atë kohë, sipas tij, ishin gjetur tetë trupa, ndërsa tash, sipas informatave, dyshimet janë se bëhet fjalë edhe për shtatë persona të tjerë.
Gara ka thënë se sfidë kryesore mbetet mungesa e informacioneve të besueshme – duke theksuar mosgatishmërinë e Serbisë për bashkëpunim.
Ndërkaq Ditor Haliti, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka thënë se dyshimet se mbetjet i përkasin periudhës së luftës së fundit janë “të bazuara”.
“Pas ekzaminimit dhe identifikimit, do t’i njoftojmë familjarët”, ka thënë ai.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13 mijë njerëz, ndërsa 1534 vazhdojnë të jenë të zhdukur.