Gjatë këtij viti, janë bërë gërmime 32 lokacione të ndryshme, në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës. Kjo ka rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore të 16 personave që dyshohen si të zhdukur. Në prezantimin e raportit vjetor të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur është shprehur si sfidë mungesa e bashkëpunimit nga Serbia ndërsa u bë e ditur se janë siguruar edhe 150 gigabajt materiale mbi të zhdukur nga ish-Tribunali i Hagës
Në një hartë që u prezantua nga përfaqësues të Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, pikat me të kuqe tregojnë lokacione në të cilat gjatë vitit janë bërë gërmime në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në 32 prej tyre, gjatë 2025-s janë gjetur mbetje mortore të 16 personave që dyshohet se janë zhdukur me dhunë gjatë luftës. Në 15 të tjera, gërmimet nuk kanë rezultuar me ndonjë gjetje ndërsa një është kualifikuar si pa interes për të kryer gërmime.
Në prezantimin e raportit vjetor të punës së Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, kryetari Andin Hoti, e cilësoi si sfidë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, mosbashkëpunimin e Serbisë.
“Serbia po tenton të largojë këtë pikë nga termat e referencës, duke tentuar t’i ikë përgjegjësisë. Dhe ne nuk jemi pajtuar dhe nuk do të pajtohemi, por do të vazhdojmë të bëjmë presion që Serbia të pranojë hapjen e arkivave të klasifikuara kryesisht në të cilat ne pretendojmë që përmbajnë të dhëna për fatin e mbi 1 mijë e 571 personave që ne vazhdojmë t’i kemi të zhdukur sot”, ka thënë Hoti.
E drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, ka bërë të ditur se gjatë vitit ky institucioni ka arritur t’i kompletojë dosjet e mbetjeve mortore për 27 individë, e të cilat më pas u janë dorëzuar familjarëve të tyre.
“Pra, gjatë këtij viti janë dorëzuar mbetjet mortore të 27 individëve, të cilët 16 janë në listën e personave të zhdukur. Në anën tjetër janë dërguar mostra kockore të cilat janë dërguar në Komisionin Ndërkombëtar për persona të zhdukur dhe 68 mostra kockore për analiza të ADN-së i kemi dërguar gjatë këtij viti, ndërsa në anën tjetër kemi pranuar 63 rezultate të ADN-së, përkatësisht 53, sepse 10 janë vetëm rezultate krahasimore”, ka thënë Haliti.
E Kushtrim Gara, anëtar i Komisionit, ka thënë se nga ish-Tribunali i Hagës janë pranuar rreth 150 gigabajt material mbi të zhdukur.
“Në kuadër të një marrëveshje bashkëpunimi me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, janë pranuar diku rreth 150 gigabajt materiale që vjen nga ish-Tribunali i Hagës, pra Tribunali Penal për Krimet në ish-Jugosllavi dhe në shumicën e lokacioneve, duke filluar nga lokacioni i fundit që kemi përmbyll vitin, pra lokacioni në Rahovec”
Për vitin e ardhshëm, përfaqësues të komisionit kërkuan që të mundësohet kryerja e gërmimeve edhe në disa lokacione në Serbi, përfshirë Batajnicën, ku dyshohet se ndodhen mbetje mortore të 58 personave të zhdukur që nga lufta e viteve 1998-1999.
Nga kjo luftë, të zhdukur ende janë rreth 1 mijë e 600 persona.