Arbëri

Sot në Bruksel takime të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Bislimi Sorensen Petkoviq

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë qëndrojnë sot në Bruksel për takime në kuadër të dialogut me të cilin ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Nuk janë dhënë hollësi rreth takimeve por pritjet janë që temë kryesore të jetë nisja e punës e Komisionit të përbashkët për të pagjeturit. Nëse do të ketë tema tjera apo jo varet edhe nga planet e të dërguarit të posaçëm për dialog Peter Sorensen dhe nga vullneti i palëve për të diskutuar për to.

Zakonisht takimet zhvillohen së pari ndaras mes lehtësuesit të BE-së me palët e pastaj, nëse palët bien darokd zhvillohet edhe takimi i përbashkët  trepalësh. Kështu pritet të jetë edhe sot.

Takimet e sotme do t’i shërbejnë BE-së dhe lehtësuesit edhe për të dhënë shenja se dialogu po vazhdon përkundër faktit se deri me tash nuk ka pasur ndonjë progres të prekshëm.

Nga zyrtarët e Serbisë, siç kanë raportuar mediat Serbe, kanë paralajmëruar se do të kërkojnë formimin urgjent të Asociacionit të Komunave Serbe dhe të tërheqin vërejtjen për atë që e quajn “presion ndaj Serbëve në Kosovë”.

Së shpejti do të bëhen tri vjet prej kur BE-ja ka njoftuar se është arritur ajo që quhet “Marrëveshja e Brukselit” apo formalisht “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit”. Por deri më tash nuk ka pasur pothuajse fare implementim të kësaj marrëveshje. Ajo nuk ishte nënshkruar sepse këtë e kishte refuzuar Serbia, por BE-ja gjithmonë ka insistuar se zbatimi i saj është obligim ligjor i palëve.
Peter Sorensen ishte emëruar në postin e lehtësuesit të dialogut para një viti ndërsa rishtazi i është vazhduar mandati edhe për së paku dy vjet. Ai në këtë post e ka pasuar diplomatin nga Sllovakia Miroslav Lajçak.

BE-ja për mungesë të dialogut fajin ua ka lënë palëve dhe mungesës së gatishmërisë nga ana e tyre për të zbatuar obligimet nga procesi i dialogut. Si pengesë gjatë vitit të kaluar e kanë përmendur krizën politike në Kosovë pasi për një vit nuk u formuan institucionet sipas rezultatit të zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025 por edhe situatës së tensionuar politike në Serbi.