Arbëri

Sopi: Kosovës, Serbisë e ndërkombëtarëve u mungon vullneti për ta zgjidhur çështjen e veriut

Analisti Agim Sopi ka thënë se Kosovës, Serbisë dhe ndërkombëtarëve u ka munguar dhe u mungon vullneti për ta zgjidhur çështjen e veriut.

Duke komentuar draftin e Asociacionit të Bashkimit Evropian që i është paraqitur liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Sopi ka thënë se nëse drafti është i njëjtë si në disa shtete evropiane, atëherë është shprehur i bindur se kryeministri Albin Kurti nuk do ta pranojë.

“Nëse drafti i referohet situatave të ngjashme në Evropë, atëherë do të jetë i disfavorshëm për Kosovën dhe Kurti nuk do ta pranojë. Mendoj se kjo do të jetë marrëveshje për marrëveshje. Që nga fundi i luftës, problemi nuk është shtruar për zgjidhje. Ka munguar vullneti i Serbisë, i Kosovës dhe ndërkombëtarëve për zgjidhje të problemit. Dhe mungon edhe sot në këtë trekëndësh. Nuk diskutohet për problemin, por për marrëveshjen e radhës”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

“Këto marrëveshje janë njëfarë procesioni religjioz për të blerë kohë si myslimanët e devotshëm që e falin sabahun, drekën, ikindinë... e të nesërmen prapë pastaj edhe një ditë, edhe një ditë...”, ka shtuar ai. 

Sipas Sopit, asnjë qeveri në Kosovë nuk ka pasur vullnet për ta zgjidhur çështjen e pakicës serbe, por “e kanë shtyrë gjithmonë deri në ardhjen e qeverisë së re”.

Tutje, Sopi ka thënë se dialogu me serbët lokalë është zgjidhja për problemin në veri.