Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryeziu-Hyseni: S'mund të hyjmë në obligime kur Serbia s'e pranon marrëveshjen

Deputetja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka deklaruar se Kosova nuk mund të hyjë në obligime përderisa Serbia nuk e pranon Marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit të vitit të kaluar.

E ftuar të martën në “Konfront” të KTV-së, Kryeziu-Hyseni ka konsideruar se nuk do të ishte veprim i mirë po që se Kosova do ta hartonte një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta implementonte atë derisa Serbia e hedh poshtë marrëveshjen.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nuk besoj që do të ishte veprim i mirë i Kosovës që të fillonte të hartonte një draft të Asociacionit, e aq më pak të implementonte një gjë të tillë përderisa në anën tjetër e ke Serbinë që nuk ta pranon fare marrëveshjen dhe në njëfarë mënyrë e hodhën poshtë marrëveshjen me letrën e kryeministres në fund të dhjetorit të vitit të kaluar”, ka thënë ajo.

Kryeziu-Hyseni ka shtuar se bashkësia ndërkombëtare do të duhej të ndërronte qasje me Serbinë në kuadër të procesit të dialogut.

“Besoj që nëse do të kishte pasur insistim më korrekt e më të madh prej bashkësisë ndërkombëtare dhe në raport me Serbinë që qasja e tyre të ndryshojë në kuadër të procesit të dialogut, ndoshta do të kishim ardhur në një moment kur ne do të ishim dakorduar të bënim një veprim të tillë. Kështu me një Serbi që nuk ta pranon marrëveshjen fare, ta shkelë vazhdimisht atë, ta kundërshton e ta hedhë poshtë me deklarata të ndryshme, unë besoj që as nuk kemi pse të hyjmë në këso obligimesh dhe të fillojmë të hartojmë diçka që nuk e di më pas ku është fundi sepse nuk e ke të trashëguar as edhe një dokument të vetëm”, është shprehur ajo.


Sopi: Është humbje kohe të diskutohet për dinarin, Lajçaku ka dështuar

Image

Analisti Agim Sopi ka vlerësuar se është humbje kohe të diskutohet për ato që i ka quajtur çështje teknike në dialog. Sopi komentoi takimet e fundit në Bruksel për dinarin.

Sopi ka thënë se problemi në veri para së gjithash është i shkaktuar nga ndërkombëtarët.

“Ditëve të fundit kanë ndodhur disa gjëra të mëdha. Përmenda zërat e Parlamentit Evropian që e thonë një të vërtetë që nuk mund të bëhet më lojë. Problemi në veri, i shkaktuar para së gjithash nga ndërkombëtarët, dhe i ushqyer nga të dyja palët, duhet të zgjidhet në situatën e një konfrontimi të madh global dhe të një rindarje të sferave të interesit në botë. Në këtë këndvështrim, është humbje kohe të diskutohet për çështje teknike dhe dinari është çështje teknike”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

Sopi ka konsideruar se emisari i Bashkimit Evropian për dialogu, Miroslav Lajçak, ka dështuar.

“Lajçaku ka dështuar si ndërmjetësues sepse shpeshherë e ka luajtur rolin e lehtësuesit, ndërmjetësuesit dhe arbitrit. Me dorëzimin e draftit të Asociacionit, ata i kanë kapërcyer të gjitha kompetencat dhe kanë luajtur rolin e arbitrit. Kosova me Kushtetutë e bën Asociacionin”, ka shtuar ai.


20:58 - Tri grupet hipokrite të njerëzve që sipas Gjinovcit jetojnë në Kosovë

Image

Sipas opinionistit Rron Gjinovci, janë tri grupe në Kosovë që e shohin vendin në tri këndvështrime të ndryshme – njëri që e sheh pjesë të botës arabe, njëri pjesë të Shqipërisë dhe tjetri që do të jetojë në Serbi.

Gjinovci në emisionin “Konfront” në KTV ka theksuar se Kosova është shtet model i Ballkanit Perëndimor, në çfarëdo aspekti, dhe se e vetmja gjë e mangët është ekonomia e cila nuk po ecë për shkak të rrethanave politike.

Ai ka thënë se Kosova bëhet shtet duke e forcuar sovranitetin dhe duke mos hequr dorë prej parimeve të shtetësisë.

“Në Kosovë janë tri grupe, një pjesë don me u bë pjesë të botës arabe – por të tri grupet janë hipokrike se trijat vazhdojnë të jetojnë në Kosovë, në demokracinë më të avancuar në Ballkanin Perëndimor – një grup do me bë Arabi, por nuk shkojnë me jetu në Arabi a munden, bile tash janë liberalizuar vizat me Emiratet Arabe. Një pjesë do me u bashku me Shqipërinë, po nuk shkojnë me jetu me banda të drogës dhe krimit të Edi Ramës. Mundeni me shku me jetu në Shqipëri kush do me shku. Një grup tjetër do me jetu në Serbi. Tri grupet hipokrite jetojnë në Kosovë”, ka thënë Gjinovci.


20:31 - Kryeziu-Hyseni: Lajçaku fajtor për stagnim të dialogut, shpesh ishte i anshëm

Image

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka thënë se emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është fajtor për ngecjen e dialogut.

Sipas saj, Lajçaku shpeshherë është treguar i anshëm, duke bërë presion ndaj Kosovës, por asnjëherë mbi Serbinë.

Kryeziu-Hyseni ka konsideruar se Lajçaku do të duhej t’i trajtonte barabartë të dyja palët dhe të bënte më shumë përpjekje si negociator.

“Mendoj që pikërisht qasja që ka pasur Lajçak në vazhdimësi në proces ka ndikuar shumë në stagnimin e situatës dhe në këtë momentumin që jemi sot. Për mendimin tim, si negociator do të duhej të bënte më shumë përpjekje, që të kërkonte barazi në mes të palëve dhe t’i trajtonte barabartë të dyja palët. Kemi parë mjaftueshëm herë një qasje shumë të pabalancuar sa i përket palëve në procesin e dialogut dhe jemi sot në një situatë të vështirë që palët t’i kthehen dialogut. Unë gjithmonë kam parë presion nga Lajcaku mbi Kosovën dhe jo mbi Serbinë”, është shprehur ajo.