Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sopi: Fëmijët do të dërgohen në çerdhe çdo ditë, pavarësisht grevës

Kryetari i Këshillit të Prindërve në çerdhen publike “Yllka”, Betim Sopi, ka thënë se i kanë paralajmëruar edukatoret e këtij institucioni se do t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe, pavarësisht grevës.

Ai në emisionin “60 Minuta” në KTV, të hënën, ka thënë se që nga e premtja u kanë bërë thirrje edukatoreve që të nisin punën.

“Unë kam marrë shumë ankesa prej prindërve, veçanërisht për gjendjen emocionale të fëmijëve. Prindërit dëmtohen në shumë aspekte për shkak se janë obliguar t’i dërgojnë fëmijët në çerdhet private. Ka edhe fëmijë që janë me nevoja të veçanta, prandaj pikërisht për këtë aspekt ne kemi bërë thirrje që të reflektojnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, janë munduar që si këshill të krijojnë një formë më pozitive të kundërshtimit.

Sopi ka shtuar se vetmja mënyrë që të dilet nga kjo gjendje është bashkëpunimi.

“Ne u kemi propozuar që të bëjmë grevë së bashku. Nuk ka gatishmëri nga edukatoret që të nisin punën. Kjo më habit shumë dhe është e tejzgjatur. Ne kemi ardhur te pika që të grumbullojmë të holla, që të përmbushim kërkesën e edukatorëve derisa të bëhet zgjidhje nga niveli qendror”, ka thënë ai.

Edhe Këshilli i Prindërve: Nëse Qeveria nuk i paguan mësimdhënësit, ne mbledhim vetë fonde Arbëri Këshilli i Prindërve: Nëse Qeveria nuk i paguan mësimdhënësit, ne mbledhim vetë fonde

Sipas tij, ka mbetur në duart e edukatorëve të vendosin të fillojnë dhe të bashkëpunojnë me prindërit.

“Kërkesat tona janë dëgjuar shumë nga stafi i çerdhes gjithmonë, por greva tashmë ka paralizuar gjithçka. Në Prishtinë nuk ka çerdhe që ka filluar punën. Ne do t’i bashkohemi protestës e cila është thirrur për të enjten nga çerdhja ‘Gëzimi ynë’. Ne i përkrahim kërkesat e edukatoreve, por qenësore është që të nis puna dhe fëmijët të rikthehen në normalitet”, ka thënë ai.

Sipas tij, cilësia është në nivelin e duhur, porse sipas tij, ka hapësirë për përmirësime.