Këshilli i Prindërve të Kosovës ka njoftuar se do të mbajë protestë të shtunën nëse greva nuk ndërpritet.
Pas një mbledhjeje të mbajtur Këshilli ka deklaruar se gjendja me grevën e ka humbur çdo arsye, duke u bërë thirrje që të lëvizin urgjentisht në mënyrë që nxënësit të kthehen në bankat shkollore.
“Ne si prindër, shumë herë jemi ndier të pafuqishëm dhe të zhgënjyer me gjendjen e krijuar. Deri më sot nuk i kemi drejtuar gishtin askujt për t’i kërkuar përgjegjësi për veprimet që ndodhin në arsim. Sot konsiderojmë se jemi sfiduar qenësisht dhe gjendja me të cilën po përballemi nuk ka më asnjë kuptim, sepse prindërit kanë filluar ta humbin durimin”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, nëse deri më datë 1 tetor nuk gjendet zgjidhja, atëherë prindërit janë të detyruar të shprehin indinjatën e tyre përmes protestës.