Arbëri

S’mirëpritet projektligji që obligon mjekët e profesorët të deklarojnë pasurinë

Projektligji i miratuar i Qeverisë që listës së zyrtarëve për deklarim të pasurisë t’i shtohen edhe profesorët dhe mjekët nuk është mirëpritur. Nga Oda e Mjekëve thonë se është diskriminuese që të zgjidhen kategori të caktuara dhe jo të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit. Sipas analistëve, ky projektligj do t’i dekurajojë profesionistët të qëndrojnë në sektorin publik dhe mund të jetë motiv shtesë për mjekët që të largohen nga Kosova.

Mbi 4 mijë mjekë e profesorë pritet t’i shtohen listës së zyrtarëve publikë që janë të detyruar ta deklarojnë pasurinë.

Projektligji që do të bëjë të mundur një gjë të tillë u miratua të premten në mbledhjen e Qeverisë, por nuk po mirëpritet nga ana e profesionistëve shëndetësorë.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, thotë se nuk janë kundër deklarimit të pasurisë, porse është e papranueshme që nuk janë futur edhe kategori të tjera për deklarim.

Sipas tij, me këtë lloj përzgjedhjeje, Qeveria i ka vënë në cak si kategori e dyshuar për korrupsion.

“Nuk ka asgjë të keqe deklarimi i pasurisë, porse kemi kërkuar që të mos jenë vetëm mjekët, sepse atëherë apriori i bëjmë me dije publikut dhe në përgjithësi, se mjekët janë ata të dyshuarit apo të vetmit të dyshuar për mundësinë e mitos apo korrupsionit dhe kemi kërkuar që këtu të hynë të gjithë”, ka thënë Sejdiu.

Ky veprim i Qeverisë, sipas Bekim Salihut nga Instituti GAP, do të mund t’i shtynte profesionistët e arsimit, e sidomos ata të shëndetësisë, që ta lënë sektorin publik dhe të koncentrohen në atë privat.

Madje, sipas tij, një pjesë e mjekëve do të kenë motiv shtesë që të largohen nga Kosova.

“Pretendimet që edhe mjekët dhe profesorët ta deklarojnë pasurinë konsideroj që janë të gabuara. Për faktin që mjekët dhe profesorët janë kategori profesionale ndërkaq deklarimi i pasurisë lidhet me funksionet zyrtare. Në kuadër të shëndetësisë dhe arsimit do të duhej që pasurinë të deklaronin menaxhmenti i lartë i këtyre institucioneve por jo edhe mjekët dhe profesorët”, ka deklaruar Salihu.

Nga Qeveria janë arsyetuar se këto kategori duhet të jenë transparente me pasurinë e tyre meqë paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe sipas kryeministrit Albin Kurti, një projektligj i tillë është përgjigje ndaj korrupsionit.

“Me anë të këtij projektligji janë paraparë dispozitat që vijnë si përgjigje ndaj historisë me korrupsion në vendin tonë kur zyrtarë të shumtë janë pasuruar në mënyrë të pajustifikuar e të paligjshme”, ka thënë Kurti.

Pa mjekët dhe profesorët aktualisht në Agjencinë Kundër Korrupsionit, pasurinë janë të obliguar ta deklarojnë 4.769 zyrtarë publikë.